Pas presionit mediatik seanca e sotme e Këshillit të prokurorëve publik, në të cilën ishte paralajmëruar që të zgjidhen më shumë se dhjetë prokuror të rinj, është anuluar. Seanca ishte e mbyllur për publikun, dhe nuk u dhanë shumë informata nëse ka patur ose jo ndonjë mosmarrëveshje rreth asaj se kujt duhet ti takojnë vendet bosh të prokurëve. Kryetari i Këshillit Petar Anevski nuk tregoi arsyet e prolongimit të seancës.
Në këtë seancë duhej vendosur për dorëheqjen e kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe emërimin e tij si zëvendës në këshillin republikan. Gjithashtu në këtë seancë duheshin emëruar edhe disa prokurorë në prokuroritë e Shkupit, Gostivarit, Manastirit e të tjerë që kanë konkurruar në konkursin e para më shumë se gjashtë muajve, por edhe kjo si duket do duhet të presë derisa prokurorët të bëjnë përllogaritjet.
Edhe mandati i Gordana Geshkovskës, kryeprokurores së Shkupit ishte në pikëpyetje pasi më 15 maj asaj i skadon mandati dhe duhej vendosur nëse do të kalojë në ndonjë pozitë tjetër pa mandat të kufizuar ose do të vazhdojë të udhëheq prokurorinë e Shkupit.
Seanca e ardhshme është përcaktuar për më 16 maj që është një ditë pasi Geshkovskës t’i ketë mbaruar mandati.
Ndryshe, botuesi i portalit “Svedok” që raporton për gjyqësorin, deklaroi dje se emërimet janë planifikuar të bëhen para formimit të Qeverisë së re edhe atë me pazar mes BDI-së dhe VMRO-së për ti bërë shërbim njëri tjetrit në vendime gjyqësore dhe sistemim të prokurorëve që i kanë shërbyer pushtetit. Si shpagim për votën e anëtarëve të BDI-së në Këshill për emërimin e Zvërlevskit, është kërkuar lirimi i vrasësit të komandat Shqiponjës Bajram Limani, të cilit ditë më parë prokuroria ia ndryshoi akuzën dhe nga vrasja me paramendim, e akuzojnë për vrasje të çastit ose në vetëmbrojtje.

