Gazetar: Lluka Andreev
“Nuk kam koment”, thotë Antonio Milloshoski, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, pasi ministri Bujar Osmani i bëri thirrje për të caktuar seancën për të dëgjuar kandidatët për ambasadorë. Nëse dhe kur do ta bëjë këtë, mbetet enigmë. Seanca është hapi i fundit i procedurës për dërgimin e ambasadorëve jashtë vendit, por nuk është pjesë e detyrueshme e procedurës. Kandidatët për ambasadorë në Sofje, Vjenë, Oslo, Bratislavë, Otavë e të tjera pritet ta prezantojnë programin e tyre të punës në Kuvend. Sipas kreut të diplomacisë, zvarritja e këtij procesi, veçanërisht me vetëdëshirë, pa nevojë dhe pa arsyetim të denjë, paraqet handikap të thellë politik për politikën e jashtme.
“Mos caktimi i seancës së Komisioni për Punë të Jashtme pranë Kuvendit, paraqet keqpërdorim flagrant ose do të thosha, keqpërdorim të pacipë edhe të Rregullores për punën e Komisionit dhe në përgjithësi i pjesëmarrjes së Kuvendit si trup i veçantë në politikën e jashtme”, deklaroi Bujar Osmani- ministër i Jashtëm.
Pas taktizimit për periudhë më të gjatë, Milloshoski më në fund e caktoi seancën e 26 korrikut për paraqitjen e platformave për ambasadorët e ardhshëm, por në këtë seancë kaloi vetëm kandidati për ambasador në SHBA ku ambasadori Zoran Popov tashmë është nisur për në Shtetet e Bashkuara. Për të tjerët, që presin miratim nga Kuvendi, pritet vendimi i Milloshoskit. Ai për Alsat tha se bllokada aktive e opozitës në Kuvend nuk do të ndikojë në bisedën e kandidatëve për ambasador në Uashington ndërsa për të tjerët se do të caktojë në mënyrë shtesë, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Që të plotësohet tërësisht rrjeti diplomatik, pritet të propozohen shefat e misioneve diplomatike edhe për gjashtë qytete, edhe atë për në Pekin, Brazili, Beograd, Tel Aviv, Kairo dhe Toronto. Krahas asaj që në periudhën e ardhshme pritet të propozohen kandidatët për këto vendet e zbrazëta, Ministria e jashtme këto ditë do të propozoj emër për sekretar të ri shtetëror në këtë dikaster, vend që do të lirohet pas shkuarjes së Popovit në Uashington./Alsat.mk