Emad MEHMETI
Gjithmonë kam qenë për protesta me kauza të drejta. Për shqiptarët, UÇK-ja nuk është vetëm një emblemë, por është organizimi më madhështor që solli lirinë dhe avancimin e çështjes sonë kombëtare në trojet shqiptare.
E kur jemi te protestat që pritet të mbahen në Shkup në mbështetje të çlirimtarëve në Hagë, dikush mund të thotë: “kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, po i përdor për ringritje në skenën politike?” Edhe kjo mund të jetë e vërtetë. Si politikanë mund t’i kritikojmë sa të duam: Ali Ahmetin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerët. Por kur bëhet fjalë për UÇK-në, nuk ka asgjë më të drejtë e më të duhur që i ka ndodhur popullit tonë.
Prandaj, askush nuk mund t’i prekë e t’i gjykojë çlirimtarët tanë për veprimtarinë e tyre në kuadër të UÇK-së, në një kohë kur edhe personalitete të ndryshme ndërkombëtare e kanë njohur si forcë që luftoi mizoritë dhe padrejtësitë e okupatorëve.
Kështu, vlera, e drejta dhe legjitimiteti i UÇK-së nuk mund të vihen në pikëpyetje, ashtu siç nuk mund të kontestohen nga askush protestat për mbrojtjen e çlirimtarëve.


