Emad Mehmeti
Big Brother Kosova po kthehet në laboratorin më të dukshëm të degjenerimit dhe dehumanizimit të shoqërisë shqiptare. Na thuhet se “po pasqyrohet realiteti”, por në fakt po shfaqet një “realitet” i ndërtuar për të normalizuar sjellje që prekin themelin e shoqërisë: familjen, dinjitetin dhe vlerat morale.
Aty shtyhet përpara amoraliteti dhe injoranca, jo edukata dhe kultura që historikisht na kanë mbajtur si komb. Po, mund të ketë përjashtime vlerash edhe aty brenda, por duket se produksioni ushqen me qëllim skandale, konflikte dhe shfaqje të ulëta – mjafton që të ketë klikime, që algoritmi t’i fryjë në çdo platformë, dhe që shumica të konsumojë atë që nuk duhet në shumë raste.
Ka ardhur koha që formate të tilla të mbajnë shënimin +24, sepse ky nivel degjenerimi nuk mund të shitet më si normalitet i shoqërisë sonë. Shoqëria shqiptare meriton shumë më tepër sesa një show që e quan “VIP” dikë vetëm pse ka miliona klikime, ndërsa ai vetë mezi artikulon një fjali kuptimplotë.
VIP nuk janë influencerët e rritur nga algoritmet. VIP nuk mund të jenë ata që jetojnë me provokime, skandale dhe paaftësi. VIP janë ata që kontribuojnë, edukojnë, ndërtojnë dhe duhen shfaqur më shpesh, jo fshirë nga ekrani.
Nëse duam familje të shëndosha dhe një shoqëri me vlera, duhet ta themi qartë: Big Brother Kosova, në formën e sotme, është gjithçka tjetër veçse përfaqësim i vlerave tona.


