Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi ka apeluar vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit.
Avokati i Rroshit, Theodhori Sollaku, ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për vendimin e shkarkimit.
“Kërkesa ka të bëjë me vendimarrjen e institucioneve që detyruan Këshillin e Ministrave për të shkarkuar kryetarin e Bashkisë, kryesisht nga procedurat e KQZ u spikat momenti që detyrimi i KQZ ka qenë të administronte vendimet e formës së prerë zyrtarisht, dosje, gjë që nuk e ka bërë. Në të kundërt mbrojtja dhe vetë kryetari i Bashkisë ka depozituar aktet zyrtare të autoriteteve të huaja që ai është i padënuar penalisht. Së dyti kemi kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave, një vendim që bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe veçanërisht me Kushtetutën shqiptare.Kemi argumentuar se sanksionet që parashikon ligji për dekriminalizimin janë natyrisht penale dhe si të tilla nuk mund të kenë kurrsesi fuqi prapavepruese”.
Edhe avokatët e ish-deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami animuan në Kushtetuese disa ditë më parë vendimin e KZQ-së për heqjen e mandatit të tyre.
Rroshi është një nga zgjedhurit e parë që preket nga ligji për dekriminalizimin, i miratuar dhjetorin e vitit të shkuar me shumicë votash nga mazhoranca dhe opozita në Parlamentin e Shqipërisë.
Rroshit ju hoq mandati nga KQZ-ja me kërkesë të Prokurorisë, sipas të cilës, ai kishte fshehur një dënim për përdhunim në Itali në fillim të viteve ’90.
9 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)