Elon Musk ka njoftuar se po largohet nga administrata e Donald Trump, ku udhëhiqte zyrën që kishte për qëllim të ulte shpenzimet e qeverisë amerikane. Gjatë mandatit të tij, qindra mijëra punonjës u pushuan nga puna ose u ri-sistematizuan.
Në një postim në platformën e tij X, njeriu më i pasur në botë i shprehu falënderim Trump-it për mundësinë që i dha për të udhëhequr Zyrën për Efiçiencë Qeveritare, e njohur me akronimin DOGE (Departamenti për Efiçiencën e Qeverisë).
Sipas BBC-së, Shtëpia e Bardhë ka nisur procesin formal për largimin e tij nga pozita e “zyrtarit të posaçëm qeveritar”, pozitë që i lejonte të kryente punë federale deri në 130 ditë në vit.
Pozita e Musk ishte e përkohshme dhe largimi i tij ishte i pritshëm, por momenti është domethënës, pasi ndodhi vetëm një ditë pasi ai kritikoi publikisht një projektligj të madh të administratës Trump.
“Meqë mandati im si zyrtar i posaçëm po përfundon, dua ta falënderoj Presidentin Trump për mundësinë që më dha për të luftuar shpenzimet e pamatura,” shkroi Musk në X.
“Misioni i DOGE do të bëhet edhe më i fuqishëm me kalimin e kohës, duke u kthyer në një mënyrë jetese në të gjithë administratën,” shtoi ai.