Gazetari Artan Hoxha sot solli detaje të reja në lidhje me ekzekutimin e Bledar Muçës në Belgjikë. Ai tha se vrasja e tij mund të jetë kryer nga tre persona. I ftuar në ‘abcnews’, Hoxha deklaroi se autoritetet belge po hetojnë ngjarjet e mëparshme në të cilat ka qënë pjesë Muça. Hoxha tregoi se ka qënë disa në Belgjikë, aty ku ka vizituar banesën e Muçës që sipas tij ishte përballë stacionit të policisë.
“Muça nuk kishte qenë problematik aty. Por nuk ishte i panjohur për belgët. Në 2018 Muça kishte pasur një dosje me Florenc Capjan dhe një tjetër person. U larguan. Por u dënuan me 4 muaj burg për një grabitje të thjeshtë. Në xhep në momentin që u vra iu gjet një dokument britanik, më pas një dokument bullgar, por nga gjurmët e gishtave rezultoi se ishte Bledar Muça. Ai ishte zhvendosur nga Emiratet e Bashkuara në Belgjikë, në Antëerp ishte ai që merrej me drejtimin e aktivitetit. 5 muaj më parë iu bë një tjetër atentat, por shpëtoi. Shkova atje dhe shtëpia e të ndjerit ishte përballë stacionit të policisë. Para 5 muaj autorët i kishin vendosur GPS makinës. Atje nuk përdornin makina të blinduara. Në rastin e parë autorët kanë marrë vesh lëvizjen, por nuk e kanë parë që zbriti në një distancë të shkurtër, 5 minuta para se makina të shkonte në garazh. Autorët u futën, plagosën drejtuesin, kur panë që nuk ndodhej Muça, morën veturën, brenda saj ndodhej 50 kg kokainë. Kjo histori nuk ishte denoncuar pasi ishte problem për dy palët. Në 22 janar, Bledar Muça ka qenë vetëm”, tha gazetari.
Më tej, Hoxha theksoi se dy vrasjet e fundit në Belgjikë vendosën qetësinë në Elbasan.
“Në Belgjikë u vranë dy personat kryesorë që ishin financierët e tyre. Pritjen e kokainës nga Amerika Latine dhe shpërndarjen e saj. Vrasja e Arjan Spahiut dhe Bledar Muçës, dy grupet janë të shkatërruara dhe sfiduara nga kundërshtarët e tyre”, deklaroi ai.
Gazetari investigativ tha se në Belgjikë veprojnë disa grupe shqiptare.
“Në Belgjikë operojnë grupe nga Tirana, Elbasani, Fieri dhe Vlorë. Aty është porti i dytë më i madh i Europës. Biznesi primar me të cilin mbahen këto biznese është kokaina. Më pas kemi konflikte që përshkallëzohen në Shqipëri. Bledar Muça është një personazh shumë i rëndësishëm në Shqipëri. Në momentin që u arrestua Ardjan Muça në Shqipëri dhe nipi i tij në Dubai. Kur do të kryheshin këto arrestime janë larguar Florenc Capja dhe Bledar Muca bashkë me familjet e tyre, shkuan në Stamboll dhe më pas në Dubai”, shtoi ai.



