Flamur dhe Gëzime Sula përballen me dhimbjen e pamasë për humbjen tragjike të vajzës së tyre, Ilaria Sula, vetëm 22 vjeçe, e cila u vra brutalisht në Itali nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, 23 vjeç me origjinë filipinase.
E reja shqiptare kishte shkuar në Romë për të ndjekur studimet në degën e statistikës, një pasion që e ndiqte me përkushtim, por ëndrrat e saj u ndërprenë në mënyrë të dhunshme. Autori i krimit, pas vrasjes, e fshehu trupin e pajetë të Ilarias brenda një valixheje, një akt që ka tronditur opinionin publik dhe ka lënë familjen në një dhimbje të thellë.
Në një intervistë për televizionin italian RAI, nëna e Ilarias, Gëzime Sula, mes lotësh u shpreh:
“Nuk e di si do ja bëj pa Ilarian. Ishte gjithçka për mua. Ma shkulën nga zemra.”
Ndërsa babai, Flamur Sula, kërkoi me vendosmëri drejtësi për vajzën e tij, duke dënuar mënyrën çnjerëzore se si u trajtua:
“Vajza ime nuk ishte një objekt, nuk ishte një palë këpucë apo një bluzë. E vranë dhe e futën në valixhe… ajo ishte njeri.”
Pavarësisht telefonatave dhe mesazheve të njëpasnjëshme nga prindërit, Ilaria nuk kishte dhënë asnjë shenjë jete. Nëna e saj tregon se kishte ndjerë që diçka e keqe kishte ndodhur. Ajo që e rëndon edhe më shumë tragjedinë është përfshirja e nënës së autorit, e cila nuk raportoi ngjarjen, por përkundrazi, e ndihmoi të fshihte trupin.
Hetimet zbuluan se pas krimit, Samson ka darkuar me një shoqe të Ilarias dhe ka përdorur telefonin e saj për të dërguar mesazhe mashtruese, duke tentuar të devijojë hetimet.
Ilaria ishte pranë diplomimit dhe prindërit kujtojnë se ajo fliste me emocion për ditën e marrjes së diplomës.
“Fliste për fustanin që donte të vishte atë ditë,” thotë nëna e saj, me zërin që i dridhet.
Në lidhje me ngjarjen, janë arrestuar Mark Antony Samson dhe nëna e tij, ndërsa pritet që drejtësia italiane të japë vendimin për këtë ngjarje tronditëse që ka prekur zemrat e mijëra shqiptarëve dhe italianëve.