Të dënuar me burg dhe të akuzuar të arratisur në raste të profilit të lartë të korrupsionit ose dhunës nuk janë ekstraduar në Maqedoni për vite me radhë. Sipas ekspertëve juridik problemi është në procedurën e pasaktë ligjore, por edhe në vullnetin politik të vendeve që duhet ti ekstradojnë të kërkuarit
Destan JONUZI
Shkup, 24 shtator – Të dënuar të arratisur, si dhe të akuzuar në raste të profilit të lartë të korrupsionit ose dhunës nuk janë ekstraduar në vend për vite me radhë. Ekspertët juridik e lokalizojnë problemin në procedurën e pasaktë ligjore, por edhe në vullnetin politik të vendeve që duhet të na ekstradojnë.
NUK KA DREJTËSI PA EKSTRADIM
Ish-Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruveski, ish-shefi i inteligjencës, të akuzuarit në Rastin e Liqenit të Smillkovës, të dënuar për ndërhyrjen e dhunshme në Parlament më 27 Prill të vitit 2017, janë vetëm disa nga të dënuarit dhe akuzuarit që janë në listat e ekstradimit në vend. Pas njoftimit të fundit të Ministrit të ri të Drejtësisë, Bojan Mariçiq se për herë të tretë do të paraqitet kërkesa për ekstradim e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, shtrohet pyetja pse lista e personave që do të ekstradohen në vend po rritet. Në anën tjetër asnjë nga të dënuarit dhe akuzuarit në procese gjyqësore të profilit të lartë nuk është ekstraduar në vend. Gruevski tanimë ka marrë statusin e të përndjekurit dhe ka fituar statusin e azilit politik në Budapest të Hungarisë. Ai arriti që me ndihmën e miqve të tij të largohet nga Maqedonia në momentin që dënimi i tij me dy vjet burg mori epilog përfundimtar në rastin “Tanku” të Prokurorisë Speciale Publike. Autoritetet e vendit zyrtarisht kanë kërkuan ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin me dy vjet burg për blerjen e paligjshme të një makine të tipit “Mercedes”, si dhe për akuzat ndaj tij për organizimin e ndërhyrjes së dhunshme në Parlament në 27 Prill të vitit 2017. Gjykata e lartë e Budapestit refuzoi kërkesën me arsyetimin se kushtet për ekstradim nuk janë plotësuar, pasi që ish-kryeministri i Maqedonisë në Hungari ka statusin e refugjatit politik.
Po ashtu edhe ish-shefat e inteligjencës të Maqedonisë i akuzuar për shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit në Drejtorin për Siguri dhe Kundërzbulim, si dhe për organizimin e ngjarjeve të 27 Prillit më vitin 2017 në Parlament, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski po ende lirshëm në Greqi, pasi që Gjykata e lartë greke refuzoi kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e tyre. Ashtu sikurse ish-kryeministri Nikolla Gruevski edhe këto dy të dënuar paraqesin mbrojtjen e tyre para organeve të drejtësisë greke se janë të përndjekur politik. Në anën tjetër vitin e kaluar edhe autoritetet e Kosovës refuzuan të ekstradojnë Alil Demirin dhe Afrim Islamiloviç. Këta janë të pandehurit e parë dhe të dytë për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës që ndodhi më 12 prill 2012. Për ta, ministria e drejtësisë ka dërguar kërkesa ekstradimi tri herë deri më tani duke premtuar një gjykim të drejtë, diçka për të cilën autoritetet e Kosovës dyshojnë se do të gjykohen mbi baza të konventave ndërkombëtare. Ndërkohë, ekstradimi i një të pandehuri nga grupi Kumanovës është ende në pritje. Më parë, në 2014, Gjermania gjithashtu refuzoi të ekstradojë të pandehurin e dytë në çështjen “Falanga”, David Shekularac, sepse nuk kishte mjaft arsye të cekura në kërkesën e ekstradimit.
SHTETE FQINJE PA VULLNET TË MJAFTUESHËM POLITIKProfesori universitar Qebir Avziu thotë se ekstradimi sa është problem juridik po aq është edhe politik. “Në fund kur të përfundojë e gjithë procedura juridike, megjithatë në fund vendos Ministria e Drejtësisë e cila ka prioritet interesin shtetëror, a duhet që ai person që kërkohet të ekstradohet ose jo. Për disa vepra penale detyrimisht duhet të bëhet ekstradimi i të dënuarve me burg, por për disa vepra penale sikurse te ne kërkohet edhe ryshfet, shtete vendosin se cili është interesi i tyre për atë dhe duhet ose jo të ekstradohet i kërkuari. Për një pjesë të rasteve që Maqedonia kërkon ekstradimin, të kërkuarit kanë marrë edhe shtetësi të në vendet ku janë arratisur dhe këtu lind edhe problemi, kështu që ato shtete vlerësojnë se interes i tyre politik është që ato persona mos ekstradohen”, deklaroi për KOHA, Qebir Avziu, ekspert juridik. Sipas ti problemi nuk qëndron në mënyrën dhe procedurën e kërkesës për ekstradim, por në mungesën e vullnetit politik të shteteve tjera që të përgjigjen pozitivisht në kërkesat për ekstradim nga Maqedonia e Veriut.
Në anën tjetër, një nga kërkesat më të vjetra të ekstradimit është për ish-shefin e doganave Dragan Daravellski, i cili në 2007 u dënua në mungesë me shtatë vjet burg. Ai u arrestua në vitin 2016 në Serbi, pas arratisjes nga vendi me një urdhër të Interpolit. Atë kohë Serbia ra dakord për të kryer ekstradimin, por Daravellski paraqiti një ankesë në Apel, pas së cilës kërkesa u refuzua në muajin mars të vitit 2016. Disa vjet më parë, Daravelski kaloi ca kohë në paraburgim ekstradimi në Beograd, por ndërkohë u bë shtetas i Serbisë dhe nuk u ekstradua në Maqedoni. Pas 11 vitesh jetë si refugjat, ish-Ministri i Shëndetësisë Vllado Dimov u kthye në vend në vitin 2017. Autoritetet e Maqedonisë gjithashtu kërkuan ekstradimin e tij nga Polonia, ku ai u arrestua në aeroportin e Varshavës dhe më vonë nga Bullgaria, ku jetonte. Ekstradimet u mohua nga autoritetet gjyqësore. Dimov dyshohej se në 2005 ka abuzuar me detyrën zyrtare dhe ka keqpërdorur 2.5 milionë euro nga fondet e buxhetit. Pasi u kthye në vend, Dimov pretendoi se e gjitha akuzat kundër tij ishin përndjekje politike.
Një tjetër, rast për të cilin ekstradimi është harruar për më shumë se 20 vjet është edhe ai i Aco Bocesvki nga Shkupi i njohur me nofkën e tij si “Ciganot”. Nofkën “Ace Ciganot” e mori pas një ndërhyrje të dhunshme në diskotekën “Hard Rok” në Shkup, ndërsa policia e kërkon me flet-arrest ndërkombëtar për vrasjen e biznesmenit shqiptar Sead Ibrahimi nga Draçeva e Shkupit. Sipas informacioneve të liferuara, Bocevski vrasjen e ka kryer pasi është rrahur në mënyrë brutale nga Ibrahimi. Po ashtu, pas vrasjes së biznesmenit shqiptar – një version tjetër jozyrtar që ka qarkulluar në opinion është se pushteti i atëhershëm i Branko Cërvekovskit i ka pasur borxh në para Ibrahimit, për furnizimin që ai i ka bërë MPB-së me motoçikleta të sjella nga Zvicra. Bocevski u dënua me 15 vite burg më 30 qershor të vitit 1998, dhe pasi u burgos – në mënyrë misterioze u lirua dhe arriti të largohet nga vendi. Sipas statistikave të MPB-së, mbi 90 për qind e të kërkuarave me flet-arreste ndërkombëtar posedojnë shtetësi të Maqedonisë, ndërsa 10 për qind janë me shtetësi të huaj.
Ministria e Drejtësisë nga viti 2018 mban evidencë të ekstradimeve të kryera. Sipas të dhënave të tyre, 123 kërkesa për ekstradim janë aprovuar nga vendet e Evropës Perëndimore në dy vitet e fundit. Në total 10 kërkesa ekstradimi janë miratuan, ndërsa 48 kërkesa u refuzuan nga vendet të ndryshe të Evropës Perëndimore. Në ndërkohë, Maqedonia ka marrë 170 kërkesa ekstradimi në dy vitet e fundit, nga të cilat në 90 raste është përgjigjur, ndërsa të tjerët janë ende në pritje. Sipas të dhënave nga regjistri i Ministrisë së Drejtësisë, Maqedonia e Veriut ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Kroacinë, Kosovën, Slloveninë, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara.