Ndër reformat më të rëndësishme të paralajmëruara nga pushteti i ri duhet të jenë ata në gjyqësor dhe në administratën publike – theksojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile në emisionin “360 gradë” në Alsat-M. Njëra nga gjërat kryesore për ta është largimi i Prokurorit Publik, Marko Zvrlevski dhe emërtimi i një prokurori të ri. Nëse Zvrlevski largohet, Këshilli i prokurorëve publikë duhet që qeverisë t’i dorëzojë mendim pozitiv për një kandidat i cili më pas do të zgjidhej nga ana e Kuvendit. Megjithatë Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit paralajmëron se ky proces mundet që qëllimisht të zvarritet nga ana e Këshillit të Prokurorëve Publik.
Nëse Këshilli i prokurorëve publikë në afat prej 15 ditësh nuk e dorëzon mendimin, vazhdohet afati edhe për disa ditë, e nëse edhe pas atij afati nuk e dorëzon mendimin, atëherë konsiderohet se japin mendim pozitiv, por nëse nuk japin mendim pozitiv për asnjë kandidat, atëherë do të duhet të shpallet konkurs i ri, dhe kjo do të nënkuptonte prolongim, dhe do të ndikojë në procesin e reformave në gjyqësor – deklaroi Urania Pirovska, Komiteti i Helsinkit.
Reformë e plotë nevojitet edhe për administratën e mbingarkuar publike, veçanërisht në qoftë se numri i punonjësve shtetëror arrin deri në 200 mijë.
Çfarë bëjmë me pjesën tjetër të popullsisë, e cila kontribuon që kjo administratë publike të paguhet. Kështu që, nuk mendoj se me çdo kusht duhet të mbahet numri i administratës publike, sa njerëz na duhen në atë administratë publike, me çfarë aftësi dhe dije, këtë duhet ta dëshmojë së pari vlerësimi se me çka disponojmë, dhe e dyta, secili organ patjetër duhet të bëj sistematizim në përputhje me reformat e tyre të ardhshme, dhe të determinojnë me çfarë kalibri të administratorëve shtetërorë duhet të disponojmë – tha Fani Karanfilova Panevska, Fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni.
Sipas Pirovskës dhe Panevskës, njëra nga sfidat për Qeverinë e Zaevit do të jetë integrimi i shoqërisë civile dhe bashkëpunimin me OJQ-të.
Alsat-M