09 April
Raportet e fundit ndërkombëtare për nivelin e arsimimit të të rinjve në Maqedoni janë shqetësuese. Profesorët kërkojnë masa urgjente me qëllim që të shpëtohet sistemi arsimor. Profesori Avzi Mustafa thotë se mosrealizimi i reformave ka çuar në uljen e madhe të cilësisë në arsim. Sipas tij ndër n shkaqet është edhe mungesa e komunikimit mes Ministrisë së Arsimit , Shkollave, prindërve dhe nxënësve.
Planet dhe programet mësimore, respektivisht kurrikulat nuk bazohen në standarde. Tekstet gjithashtu. Flasin me të madhe se duhet të rishikohen. Jo të rishikohen, duhen tekste krejtësisht të reja që do të jenë të mbështetura në nevojat e kohës! Praktikën shkollore nuk duhet ta mësojnë në shkollë, por duhet drejtpërdrejtë të inkuadrohen nëpër sipërmarrjet e ndryshme, sipas drejtimeve – tha Avzi Mustafa, profesor.
Petar Atanasov nga Komisioni për Arsim i LSDM-së thotë se përmirësimi i sistemit arsimor duhet nisur nga mësimdhënësit, të cilët edukojnë brezat e rinj.
Patjetër të investohet në mësimdhënësit! Mësimdhënësit dhe profesorët janë çelësi i suksesit për arsim më cilësor. Në zgjedhjen e tyre, në trajnimin e tyre, në trajnimin e mësuesve se si ta bartin diturinë tek fëmijët, se si të punojnë bashkë me fëmijët, kuptohet në grupe më të mëdha, ajo që ne ofrojmë, në paralele më të vogla, me libra më cilësor dhe gjithsesi fëmijët të mësojnë më pak, që të dinë më shumë – tha Petar Atanasov, deputet i LSDM-së.
Atanasov theksoi se duhet të ndalen projektet e gabuara dhe eksperimentet e dëmshme, siq është testimi ekstern dhe disperzimi i studimeve. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, më se 2/3 e 15 vjeçarëve ka vështirësi me të lexuarit dhe të kuptuarit, matematikën dhe shkencat tjera natyrore. Ndërsa në testin PISA për shkrim-lexim Maqedonia është renditur në vendin e 68 nga gjithsej 70 shtete.
Anesa Aliti