
Kriza politike, e cila po zvarritet tashmë për më shumë se dy vite, e që po vazhdon me paqartësitë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka ndikuar tejet negativisht në ekonominë e vendit. Këtë e kanë thënë më herët edhe institucionet ndërkombëtare në raportet e tyre, në mesin e të cilave edhe Banka Botërore, por këtë e thonë vazhdimisht edhe ekspertët dhe komuniteti vendas i biznesit. Eksperti ekonomik, Abil Baush, thotë se që nga viti 2014, kur edhe kulmoi kriza politike, vazhdimisht nuk po realizohen projeksionet ekonomike të parapara nga Qeveria. Ai thotë se vërehet tkurrje e investimeve, me përjashtim të investimeve qeveritare, për të cilat thekson se shkojnë në projekte jo-produktive.
“Prej krizës politike të mos kemi investime të sakta, kemi investime vetëm nga sektori qeveritar. Dmth, Qeveria me buxhetin e saj fillon të investojë, por çfarë bëhet me investitorët e huaj, çfarë ndodhë me konsumatorët e thjeshtë, dhe kjo ndikon direkt te bizneset në Republikën e Maqedonisë. Bizneset fillojnë të zvogëlojnë prodhimin e tyre, fillojnë t’i largojnë punëtorët e tyre, t ëmos mund të marrin të holla, kreditime prej bankave, dhe normal kjo do të vazhdojë nëse kriza fillon ende të thellohet”, tha eksperti ekonomik, Abil Baush.
Nga ata tjetër, ish Guvernatori i Bankës Popullore, Petar Goshev, thotë se për të mos mjaftuar vetëm kriza politike, ekonomia e vendit ka pësuar edhe nga politikat e gabuara ekonomike dhe korrupsioni, që rezultojnë me qindra mijëra njerëz të pa punë, e qindra mijëra të tjerë të shpërngulur.
“Nëse vazhdon kriza politike, që është tejet e besueshme pasi gjërat nuk do të rregullohen shpejtë, ekonomia edhe më tej do të jetë në vendnumëro, ose do të përkeqësohet. Kështu që, edhe këto përqindje të rritjes që ishin shumë të ulëta, që nuk zgjidhnin problemet në Republikën e Maqedonisë, nuk do të mund të realizohen”, tha për SHENJA ish guvernatori i Bankës Popullore, Petar Goshev.
Goshev po ashtu kritikon politikat për tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilat i cilëson si diskriminuese ndaj biznesmenëve vendas. Fatkeqësisht, Goshev thotë se me përjashtim të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, biznesmenët vendas kanë heshtur ndaj këtyre politikave të gabuara.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Ekspertët ekonomik: Nëse vazhdon kriza politike… by tvshenjaofficial