Miliona njerëz panë eklipsin më domethënës në Evropë prej dekadash të mërkurën, ndërsa Dielli u zhduk pas Hënës për disa momente të shkurtra.
Në Britani, eklipsi ishte i pjesshëm dhe arriti kulmin pak pas orës 19:00 sipas kohës lokale, kur në pjesën më të madhe të vendit më shumë se 90 për qind e Diellit u mbulua nga Hëna.
Ndërkohë, në disa zona të Grenlandës, Islandës dhe Spanjës, njerëzit patën mundësinë të përjetonin eklipsin e plotë, duke parë për disa çaste errësirën e plotë të krijuar nga Hëna që mbuloi Diellin.
Turma të mëdha u mblodhën në pika të ndryshme të Britanisë dhe Evropës për ta ndjekur fenomenin. Reagimet ishin të shumta, nga duartrokitjet dhe brohoritjet deri te habija e të pranishmëve. Adhuruesit e astronomisë e përshkruan ngjarjen si një kujtesë se sa i jashtëzakonshëm është universi.
Rruga e eklipsit të plotë nisi në skajin verior të Siberisë në Rusi, larg turmave dhe teleskopëve. Më pas, ajo vazhdoi drejt Oqeanit Arktik dhe mbërriti në Islandë gjatë orëve të mbrëmjes, përpara se të lëvizte drejt jugut dhe të përfshinte edhe Britaninë e Madhe me fazën e tij të pjesshme.
Eklipsi i pjesshëm nisi rreth orës 18:00 në veri të Skocisë dhe pak para orës 18:20 në bregdetin jugor të Anglisë, shkruan BBC.
Fillimisht, ndryshimi ishte pothuajse i padukshëm, por në zonat ku qielli ishte i pastër, njerëzit nisën të shihnin Hënën duke “ngrënë” gradualisht sipërfaqen e Diellit.
Pjesa qendrore dhe jugore e Anglisë, si dhe Uellsi, patën kushte ideale atmosferike, duke u mundësuar turmave një pamje të qartë të eklipsit teksa Hëna lëvizte ngadalë përpara Diellit për rreth një orë.
Në veri të Anglisë, Skoci dhe Irlandën e Veriut, moti ishte më i vranët, por kjo nuk i pengoi njerëzit të mblidheshin në pika të njohura për ta ndjekur spektaklin.
Shumë prej tyre kishin siguruar syze speciale për eklipsin, të domosdoshme për mbrojtjen e syve. Megjithatë, ato ishin bërë të vështira për t’u gjetur para ngjarjes, pasi ishin shitur në optika, dyqane dhe madje edhe furra buke.
Për ata që nuk arritën të siguronin syze, u përdorën mënyra alternative dhe të sigurta për ta vëzhguar eklipsin, përfshirë kullesat e kuzhinës, kutitë e drithërave dhe copat e letrës.



