Ekipet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) i janë drejtuar Komunës së Krushevës për të shqyrtuar nga afër situatën e krijuar me objektin shkollor në fshatin Nerovë. Ministrja Vesna Janevska deklaroi se vendimi për hapat e mëtejshëm do të merret vetëm pasi të dorëzohet raporti teknik nga terreni.
Ajo shprehu habinë që shkolla ekzistuese është ndërtuar pa leje dhe nga vetë banorët. Sipas saj, legalizimi i objektit të ri do të mund të shqyrtohet vetëm nëse përmbushen të gjitha procedurat ligjore.
“Më vjen keq për këtë gjendje dhe për faktin që kjo qeveri duhet të zgjidhë probleme që duhej të ishin adresuar shumë më herët. Në vend se të merremi me reforma në arsim, modernizimin e kurrikulave dhe zhvillimin e arsimit të dyfishtë, ne po përballemi me çështje si legalizimi i ndërtimeve pa leje. Sot, ekipet e MASH-it dhe inxhinierë të ministrisë janë në Komunën e Krushevës për të parë nga afër të dy objektet. Nëse ndërtimi është legal, unë vlerësoj që mund të bëhet rikonstruksion. Sapo të kem raportin në duar, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Komunën, do të shqyrtojmë mënyrën më të mirë për zgjidhjen e problemit”, theksoi Janevska.
E pyetur për mundësinë e legalizimit të objektit të ri, ajo shtoi:
“Nuk mund të jap ndonjë përgjigje pa raportin zyrtar, por sigurisht që do të zgjedhim opsionin më të mirë për nxënësit dhe banorët. Ky është një proces i gjatë dhe kompleks, që nuk mund të përfundojë brenda dy ditësh.” (INA)