Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin midis Athinës dhe Shkupit mund të ndodh deri nga mesi i vitit të ardhshëm. Samitet e BE-së në qershor dhe të NATO-s në fillim të korrikut janë kornizë joformale për tejkalimin e qorrsokakut shumëvjeçar, publikoi sot “Ekatimerini” në tekstin “Nimici optimist, por pengesat ende ekzistojnë”.
Në Kombet e Bashkuara, transmeton MIA, me optimizëm shihen bisedimet e ripërtërira midis dy vendeve. Edhe vetë Nimic, i inkurajuar nga ngjarjet e fundit në proces shprehu optimizëm se problemi përfundimisht mund të zgjidhet. Megjithatë, pritet që ai të punojë me vëmendje. Nimic në këtë fazë nuk do të propozojë propozim konkret. Kur do të vendos për ta bërë këtë, me siguri do të propozojë emër të ndërlikuar me përcaktim gjeografik. Propozimi i tij i fundit “Republika Veriore e Maqedonisë” është ende në tryezë, ndërsa këtu janë edhe propozimet paraprake “Republika e Epërme e Maqedonisë” dhe “Maqedonia e Vardarit”, thekson “Ekatimerini”.
Problemi më i madh mund të jetë përdorimi i emrit të ri. Athina insiston për emër për përdorim gjithëpërfshirës. Shkupi, ndërkaq, dëshiron që emri i dakorduar të shfrytëzohet vetëm me marrëdhënie bilaterale. Megjithatë, siç theksohet, faktorët ndërkombëtarë kuptojnë se emri i ndërlikuar që duhet të dakordohet do të shfrytëzohet për përdorim ndërkombëtar. Uashingtoni dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë thanë se do të pranojnë çfarë do emri që do ta dakordojnë të dyja palët.
Në këtë fazë, Nimic, sipas “Ekatimerini” punon në largimin e të a.q. linjat e kuqe. Gjestet simbolike siç janë ndryshimi i emrit të Aeroportit të Shkupit pritet të kontribuojnë për përmirësimin e klimës në bisedimet. Nimic, thekson “Ekatimerini” është i inkurajuar edhe nga realizmi dhe vendosmëria e kryeministrit të ri të Maqedonisë Zoran Zaev i cili tha se është i gatshëm për vendime të guximshme politike të cilat vendit do t’ia hapin dyert për anëtarësim në NATO dhe BE, madje edhe nëse kjo do të thotë humbje në zgjedhjet e ardhshme.
Nimic, theksohet në tekst ka mbështetje dhe ndihmë edhe nga SHBA-ja dhe BE-ja. Pritet ai ta shpejtojë procesin përmes organizimit të takimeve në nivel ministror, si dhe në nivel të kryeministrave.
Duke e pasur parasysh se kontesti për emrin është delikat për të dyja vendet, ndërmjetësuesi, rëndësi të madhe jep edhe në reagimet e opinionit. Për këtë, vëmendja nuk është orientuar vetëm ndaj qeverive, por edhe ndaj opozitave. Nimic është i vetëdijshëm për realitetin politik në dy vendet. Sa i përket Greqisë ekziston shqetësim për qëndrimin e partnerit më të vogël të koalicionit, partinë djathtiste Grekët e Pavarur. Ekziston shqetësim edhe për reagimin e mundshëm të partisë opozitare Demokracia e Re të cilët tani për tani nuk tregojnë qartë nëse do të japin mbështetje për zgjidhjen eventuale. Në Maqedoni, megjithatë, problemi kryesor është VMRO-DPMNE-ja opozitare. Dorëheqja e liderit shumëvjeçar të partisë Nikolla Gruevski shkaktoi shpresë, por më së shumti do të varet nga ajo se kush do ta trashëgojë si shef të partisë. Komentet e fundit të Zaevit se merr sinjale pozitive nga opozita, krijojnë optimizëm, por ende është shumë herët të jepet konkludim përfundimtar si do të lëvizin punët, shkruan “Ekatimerini”.