Nga protesta që po zhvillohet në Tiranë, një prej të rinjve ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka dhënë deklarata të pavërteta për projektin e kundërshtuar nga qytetarët, përfshirë edhe komunikimin e tij me gazetarët e huaj.
Protestuesi tha se, sipas tij, kryeministri ka deklaruar se “nuk ka projekt”, por ndërkohë ka nisur vlerësimi i ndikimit në mjedis të projektit.
“Sot, Edi Rama me të zbardhur drita gënjeu pafund gazetarët e huaj. Ndër të tjera i tha që nuk ka projekt, atëherë si ma shpjegon, zoti Kryeministër, që vlerësimi i ndikimit në mjedis bëhet pa pasur një projekt? Si mund të bëhet kjo?”, u shpreh protestuesi.
Ai kritikoi gjithashtu idenë e negociatave me një grup qytetarësh, duke e quajtur atë një “kurth”. “Si mund të negociojmë ne me dikë që negocion pas shpinës sonë?”, tha ai.
Në fund, ai i bëri thirrje qeverisë për anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit, duke deklaruar se “gënjeshtrave u ka ardhur fundi”.
Protestuesi: Sot, Edi Rama me të zbardhur drita gënjeu pafund gazetarët e huaj. Ndër të tjera i tha që nuk ka projekt, atëherë si ma shpjegon, zoti Kryeministër, që vlerësimi i ndikimit në mjedis bëhet pa pasur një projekt? Si mund të bëhet kjo?
Më herët kërkohet që të zgjedhim 20 nga 20 mijë që të shkojmë dhe të negociojmë me të. Ky është kurthi i tij, nuk ka negociata. Po si mund të negociojmë ne me dikë që negocion pas shpinës sonë, nën hijen e godinave të pushtetit?
Dy fjalë edhe për mediat, në studiot televizive, ekspertët e mjedisit po përballen gjithnjë e më shumë me lloj-lloj deputetësh dhe analistësh totalisht injorantë, të paktën në aspektin e njohurive mjedisore. Dhe arsyeja është e qartë, sepse nuk ka asnjë ekspert mjedisi që mund të jetë pro këtyre lloj zhvillimesh.
Dhe e fundit, unë e di që kemi shumë çështje dhe jam i bindur se do t’i arrijmë të gjitha. Megjithatë, do kërkojmë t’i japim besën Vjosë-Nartës, çdo zone natyrore dhe të mos e lëmë në baltë. Ndaj, zoti Kryeministër Rama, anulo projektin, jep dorëheqjen dhe gënjeshtrave u erdhi fundi.


