Për atë se Zoran Zaev a ka siguruar mbështetjen e 61 deputetëve ose akoma po punon për këtë, në LSDM askush nuk jep përgjigje të qartë. Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Petre Shilegov po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje për formimin e Qeverisë. Ai thotë se presidenti Gjorgje Ivanov i ka tejkaluar autorizimet me vendosjen e kushtit për platformën e Qeverisë së re.
“As në Kushtetutë, e as në Ligjin për Qeveri nuk ekziston obligim që mandatari të prezantojë çfarëdo lloj programi para Gjorge Ivanovit. Programi iu prezantohet deputetëve dhe e njëjta pastaj është lëndë e miratimit nga ana e Kuvendit, e jo nga Ivanovi”, u shpreh Zëdhënësi i LSDM-së.
Partitë nuk zbulojnë detaje nëse janë duke negociuar, për sigurimin e 61 deputetëve për formimin e Qeverisë, pas dështimit të liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, të cilit iu dha mandati nga Ivanov.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani në përgjigjen me shkrim për TV21 theksoi se po vazhdojnë konsultimet e tyre, por për këtë parti janë në fuqi pesë opsionet e paralajmëruara, ndër të cilat është edhe mbajtja e zgjedhjeve.
“Jemi duke vazhduar konsultimet në forma të ndryshme, ku kemi paraparë takime të shumta”, tha Bujar Osmani, Zëdhënësi i BDI-së.
Për njohësit e zhvillimeve politike, paralajmërimi i presidentit Ivanov se nuk ka mandat për formimin e Qeverisë, pa konfirmimin e shumicës në parlament, përbën precedent dhe ndërhyrje në sistemin juridik të vendit.
“Pa dyshim se bëhet fjalë për ndërhyrje në sistem. Pa dyshim se bëhet fjalë për kritere të ndryshme të kryetarit dhe pa dyshim se bëhet fjalë për shkeljen e Kushtetutës, siç pohojnë shumë ekspertë të së drejtës kushtetuese. Kjo është aventurë e rrezikshme e kryetarit Ivanov”, tha Sasho Ordanovski, Analist Politik.
Analisti politik Nano Ruzhin thotë se Ivanovi si president, në vend se të ofrojë zgjidhje për krizën disavjeçare në vend, ai atë po e thellon edhe më tepër.
“Së pari, nga një figurë e heshtur dhe pa personalitet, u shndërrua në faktor për destabilizimin e shtetit, me atë që po i zvarrit punët dhe që po imponon disa kushte të reja. Së dyti, sillet si kukull politike e partisë, e jo si burrështetas dhe e treta i ka tejkaluar të gjitha kompetencat e tij kushtetuese”, tha Nano Ruzhin, Analist Politik.
Përndryshe, ekspertët nuk janë të sigurtë se deri kur do të mund të zgjasë kjo periudhë e negociatave dhe përpjekjeve për të siguruar nënshkrimet e së paku 61 deputetëve, me qëllim që formohet shumice e re parlamentare dhe Qeveri e re.