Gjykata Themelore e Koçanit dje caktoi paraburgim për 14 të dyshuar për zjarrin në diskotekën “Puls”, mes të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, në mënyrë që të mund të mbahen në marrje në pyetje për më shumë se 24 orë. Pas përfundimit të këtyre 48 orëve, do të dihet për cilët nga të dyshuarit prokurorët do të kërkojnë paraburgim 30-ditor. Më herët, kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, u mor në pyetje nga prokuroria. Pas dëshmisë, ai u kthye në shtëpi.
Por pse edhe ai nuk u dërgua dje në gjykatën e Koçanit pas marrjes në pyetje nga policia!? Kryeministri Mickoski tha se përgjegjësia e tij do të përcaktohet nga Prokuroria.
“Është Prokuroria ajo që do të përcaktojë nëse dhe sa është përgjegjësia e kryetarit të Komunës. Ai në dorëheqjen e tij ka shkruar se është i gatshëm të bashkëpunojë për gjithçka, nuk po ikën, është këtu. Sot, organet hetimore do të hyjnë në Komunë dhe do të kontrollojnë të gjitha dokumentet.
Nëse ju pretendoni se ai është nga VMRO dhe ne po e mbrojmë, jo, e keni gabim, ne nuk do të mbrojmë askënd. Edhe sikur të ishte një ‘shenjtor i VMRO-së’, edhe sikur të ishte motra ime apo vëllai im, nëse ka ndonjë faj, do të mbajë përgjegjësi. Përgjegjësi do të ketë për të gjithë.
Nëse kërkohet përgjegjësi morale, atëherë më goditni mua, unë jam këtu dhe do të përballem me këtë sfidë. Por, fillimisht do t’i mund ata, ashtu siç kam bërë shumë herë më parë, dhe më pas në zgjedhje qytetarët do të vendosin se kush dhe për çfarë duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.