Maqedonia e Veriut sërish mbetet në fund të listës në rajon sipas lartësisë së pagës minimale. Nga viti i ardhshëm, Kosova do ta rrisë pagën minimale në 500 euro, ndërsa vendet fqinje – Serbia, Shqipëria dhe Bullgaria – tashmë kanë vendosur rritje të ngjashme, duke e lënë Maqedoninë të vetmen në rajon me pagë minimale nën këtë prag.
Në Serbi, nga 1 janari 2026, paga minimale do të arrijë në 64.554 dinarë, ose 551 euro. Në Shqipëri, ajo do të rritet në 50.000 lekë, përkatësisht 515 euro, ndërsa në Bullgari, nga viti i ri, paga minimale do të kalojë 600 eurot.
Ndërkohë, punëtorët në Maqedoninë e Veriut mbeten të vetmit në rajon që ende marrin më pak se 500 euro pagë minimale.
Nga Bashkimi i Sindikatave të Maqedonisë (BSM) theksojnë se ky zhvillim vetëm sa e vërteton kërkesën e tyre për rritje të menjëhershme të pagës minimale, e cila tashmë është tejkaluar nga inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës.
Ndërkohë, Kosova, e cila aktualisht ka pagë minimale prej 350 eurosh, nga viti i ardhshëm do ta rrisë në 500 euro për të gjithë të punësuarit me orar të plotë. Vendimi është marrë pas konsultimeve me sindikatat dhe bizneset, me synimin për të përmirësuar kushtet sociale dhe për të stabilizuar tregun e punës.
Në Bullgari, qeveria ka vendosur që nga 1 janari 2026 paga minimale të jetë 620 euro (1.213 leva), ndërsa në sektorin e shëndetësisë do të ketë rritje të mëdha – një mjek specializant do të marrë 1.860 euro, dhe një infermiere 1.550 euro.
Në Shqipëri, aktualisht paga minimale është 412 euro, por do të rritet për 100 euro nga viti i ardhshëm, ndërsa objektivi afatmesëm i qeverisë është që paga mesatare të arrijë 1.000 euro brenda katër viteve të ardhshme.
Në Serbi, paga minimale për vitin e ardhshëm do të jetë 551 euro, që përbën një rritje prej 36% në krahasim me vitin 2024, kur ajo ishte 404 euro.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, punëtorët ende do të duhet të presin harmonizimin e pagës minimale në mars të vitit të ardhshëm – duke mbetur, për momentin, me pagën minimale më të ulët në rajon.


