
Mbyllja e Jugohromit gjatë katër muajve të fundit ka bërë që ndotja e ajrit në Tetovë të ulet mes 40% dhe 50%. Kështu ka thënë drejtuesi i Ecoguerilës, Arianit Xhaferi, gjatë një pres konference në të cilën ka prezantuar të dhënat e fundit për ndotjen e ajrit nga matjet të cilat vazhdimisht realizohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në raportin e realizuar nga kjo organizatë joqeveritare, kanë publikuar edhe të dhëna mbi mesataret e ndotjes së në 5 vitet e fundit. Sipas këtij raporti, ndotja e ajrit në Tetovë në vitin 2012 ka qenë 152 grimca pm10, në vitin 2013, 150, vitin 2014, 134, në vitin 2015, 146, ndërsa në vitin 2016 ndotja e ajrit ka shënuar ulje ne 97 grimca pm10.
“Dallimi më i madh është vërejtur në Tetovë, ku ndotja në nivel vjetor nga mesatarja e rreth 140-150 ka rënë për herë të parë në 97,edhe pse vetëm 4 muaj të vitit Jugohromi nuk ka punuar. Rënie e ndotjes po ashtu është vërejtur në Kërçovë ku TEC Osllomej ka punuar vetëm 40 ditë gjatë vitit 2016. Përfundimisht është shumë e qartë që ajri pa Jugohromin është më pak i ndotur në sasi të konsiderueshme, prandaj po theksojmë se kërkesa e menaxhmentit të Jugohromit që kombinati të rifillojë punën pa vendosur filtrat është kërkesë e kundërligjshme, dhe si e tillë është e papranueshme dhe e rrezikshme”, ka deklaruar Arianit Xhaferi nga EcoGuerila.
Xhaferi ka porositur Inspektoratin dhe Ministrinë e Mjedisit të mos bien pre e taktizimeve që vite me radhë bëhen nga udhëheqësia e Jugohromit.
“Poashtu duam që t’i dërgojmë një mesazh dhe qeverisë se më me rëndësi është shëndeti i fëmijëve tanë, i brezave të ardhshëm, shëndeti i qindra mijëra banorëve të Tetovës me rrethinë. Numri i kancereve kohët e fundit shënon një rritje marramendëse në Maqedoni. Asnjë interes nuk është më i rëndësishëm se shëndeti i qindra mijëra qytetarëve që detyrohen çdo ditë të thithin në ajër 30 tonë pluhur të Jugohromit pa filtra. Qeveria duhet të sigurohet që Jugohrom nuk do të hapet pa vendosjen e plotë të filtrave”.
Xhaferi i ka drejtuar kritika udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës, duke thënë se kanë dështuar total sa i përket luftës kundër ndotjes dhe mbrojtjes së mjedisit.
Teuta Buçi /SHENJA/
TEUTA 1 _17.01.2017 by tvshenjaofficial