Obstruksionet dhe histeria e opozitës maqedonase ndaj projekteve të Korridorit 8 dhe 10D për zv/ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi janë të papranueshme. Sipas tij partitë opozitare po tentojnë t’i japin ngjyrë etnike një projekti që është në të mirë të të gjithë vendit.
“Është për keqardhje kjo histeri që po shpërndahet në opinion në lidhje me projektin e Korridorit 8 dhe 10D. Fatkeqësisht partia opozitare tenton që t’i jap ngjyrë etnike këtij korridori që është e papranueshme sepse është korridor për të gjithë qytetarët, është projekt strategjik për shtetin dhe nga ky korridor do të kenë beneficione edhe shteti edhe qytetarët e MV.”- deklaroi Bekim Rexhepi – zv/ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Një muaj më parë u bë përurimi i projektit të Korridorit 8, ndërsa aktualisht po vazhdon procedura e fazës përgatitore të projektit. Zv/ministri Rexhepi thotë se nuk dihet saktë se kur do të fillojë puna e ndërtimit të korridoreve në terren. Këtë vlerësim e japin kompanitë “Bechtel & Enka”, tha ai.
“Janë transferuar 117 milionë euro në bazë të programit të qeverisë dhe ato mjete janë mjete për të bërë parapërgatitje, mobilizimin e resurseve njerëzore makinerinë, vendosjen e kampeve e kështu me radhë. Njëkohësisht pas kësaj do të fillohet me incizimin, regjistrimin e traseve, planeve urbanistike, projektin bazë dhe pastaj fillohet me punë konkrete në terren.”- tha Bekim Rexhepi – Zv/Ministër I Transportit Dhe Lidhjeve
Projekti dhe të gjitha fazat janë transparente deklaroi Rexhepi në emisionin “10 Minuta”, ndërsa demanton pohimet e opozitares VMRO-DPMNE, se qeveria do të duhet t’i paguaj gjoba kompanive Bechetl dhe Enka.