Shkruan H. Sulejman ef. Rexhepi
Pejgamberi Muhamed a.s. ka thënë “Arabi nuk ka përparësi ndaj jo Arabit, si edhe jo Arabi ndaj Arabit. Njeriu i bardhë nuk ka përparësi ndaj njeriut të zi dhe as i ziu ndaj të bardhit. Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit, e Ademi është krijuar nga dheu”
Botën dhe njerëzimin nuk mund ta shkatërrojë askush duke vrarë njerëz sepse njerëzit sërish lindin dhe e zënë vendin e të vrarëve. Budallallëku mund të shkatërrojë vetëm individë por jo edhe një shoqëri të tërë. Mund të vriten njëqind njerëz në Paris, njëqind të tjerë në Turqi, mund të kurdisen bomba në Liban a në Nigeri, mund të sulmohen kulla në New York a gjetiu por, bota mund të shkatërrohet vetëm duke i shkatërruar vlerat të cilat njeriun e bëjnë njeri.
Dhe, mbetet fakti se burimi i të gjitha këqijave, shkaktari i vrasjeve e masakrave, luftërave dhe përçarjeve, mjerisht, e ka burimin në zemrën e njeriut.
Së këndejmi, para se të akuzojmë të tjerët për të këqijat që po na shtohen, do duhej të gjithë t’i thërrasim mendjes e të vështrojmë në zemrat tona. Çfarë po ndodhë aty, çfarë po fshehim nga njëri tjetri dhe çfarë nga vetja. Të lëndosh dikë duke ia thënë të vërtetën e duke u pajtuar me Zotin dhe me vetveten është absolutisht më fisnike dhe më e drejtë se sa të vrasësh përmes gënjeshtrave.
Edhe vitin që po e përmbyllim, për fat të keq, e karakterizuan mashtrime e lajthitje, luftëra dhe sulme terroriste që krijuan vragë e gjurmë në kujtesën e njerëzimit. Në vend të përparimit, Islamit iu imponua një atmosferë në të cilën ai po detyrohet të mbrojë e të arsyetojë veten, të dëshmojë se ai nuk mund të prezantohet në botë përmes keqinterpretuesve dhe kriminelëve. Në vend se të mburret me liritë që janë fondament i tij, Islami, pa të drejtë, po akuzohet si shkelës i lirive njerëzore e fetare.
Po përkujtoj se , sipas Islamit, çdo njeriu pa marrë parasysh se ku jeton, cilit komb a cilës fe i përket, a është besimtar apo jo, i takojnë të drejtat elementare sepse është qenie njerëzore. Çdo musliman është i obliguar që të respektojë të drejtat dhe liritë e tjetrit, pra edhe liritë fetare.Kjo, natyrisht, do të thotë se muslimani duhet me ngulm të kërkojë edhe për vete të drejtat që i takojnë nga Zoti.
Nëse analizohet atmosfera në të cilat po jetojnë muslimanët në Maqedoni, çfarë mund të konstatojmë ?
Do konstatojmë se , edhe pse në dukje muslimanët i gëzojnë të drejtat dhe liritë fetare, në fakt Islami është i diskriminuar institucionalisht, gjë e cila dëshmohet me padrejtësitë të cilat në vazhdimësi po i bëhen Bashkësisë Islame si përfaqësues dhe reprezent i tij. Problemet e kthimit të pronave që do të mundësonin punë më kualitative të BFI, uzurpimi i objekteve me vlerë historike, sulmet ndaj xhamive që përherë mbeten me autorë ”të paidentifikuar”, nxitja e islamofobisë… Këto janë vetëm një pjesë e gamës së diskriminimeve që kurrsesi nuk përkojnë me një shtet shumëkonfesional dhe etnikisht të përzier. Këtu, demokracia po përjeton goditje dhe pikërisht ato goditje po ndikojnë që pakënaqësia e muslimanëve të marrë forma të ndryshme. Shpresojmë, jo edhe forma që shkaktojnë trazira.
Sidoqoftë, të konsiderosh veten të privilegjuar në krahasim me njerëzit e tjerë sepse ata i përkasin një etnie apo një feje tjetër, është diçka e patolerueshme. Nëse këtë e bën një shtet apo një sistem, ajo dukuri ka emërtime shumë negative që nuk dua t’i përmend këtu. Pejgamberi Muhamed a.s. ka thënë“ Arabi nuk ka përparësi ndaj jo Arabit, si edhe jo Arabi ndaj Arabit. Njeriu i bardhë nuk ka përparësi ndaj njeriut të zi dhe as i ziu ndaj të bardhit. Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit, e Ademi është krijuar nga dheu”
Mbi këto principe duhet të funksionojë bota dhe çdo shoqëri, pra edhe Maqedonia demokratike multietnike dhe multikonfesionale. Duhet të funksionojë edhe mbi tejkalimin e përplasjes së principeve dhe paragjykimeve të cilat, t’a zëmë, Presidenti amerikan Jefferson i kishte tejkaluar qysh në shekullin e XVIII duke krijuar kështu një test edhe për ne që jetojmë disa shekuj pas tij. Epitafi mbi varrin e tij të cilin vetë e ka shkruar, thotë: Autor i Deklaratës për pavarësinë e Amerikës dhe i Ligjit për të drejtat fetare, baba i Universitetit në Virxhinia. Me këto mburrej Jefferson.
Kuptohet, Jefferson i ka mbrojtur dhe i ka konceptuar të drejtat fetare si diçka që realisht është e zbatueshme dhe njërën nga shtyllat që nga Amerika kanë krijuar atë që është sot. A kanë mësuar politikanët tanë diçka nga ideja e pluralizmit fetar të presidentit amerikan, është pikëpyetje e madhe. Kam përshtypjen se jo, siç nuk kanë kuptuar gjë nga urdhrat e Zotit
Të drejtat njerëzore dhe liritë fetare nuk mund të shërbejnë vetëm si fjalë e shkruar në një copë letër për një përdorim.