Numri i vdekjeve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje gjatë muajit janar dhe në dhjetëditëshin e parë të muajit shkurt. Nga Instituti i Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se nga 10 janari deri më 10 shkurt janë regjistruar 529 vdekje. Më së shumti të vdekur brenda një dite janë regjistruar më 4 shkurt, gjithsej 39, dhe më 9 shkurt, 34. Sipas të dhënave të Institutit, mbi 80 për qind e viktimave janë persona jo të vaksinuar. Protokolli për regjistrimin e viktimave në Maqedoninë e Veriut dallon nga ai i shteteve tjera të rajonit dhe më gjerë, ku të vdekur me COVID-19 evidentohen vetëm ata që shkaktar kryesor kanë këtë sëmundje, të cilën e shkakton një koronavirus. Sipas rregullativës që ende është në fuqi në Maqedoninë e Veriut, çdo person që vdes testohet për COVID-19 dhe në rast se rezulton pozitiv, ai evidentohet si viktimë e koronavirusit, pavarësisht nëse shkaktari kryesor i vdekjes mund të ketë qenë ndonjë sëmundje tjetër.
Këtë e pati bërë të ditur publikisht edhe ish-kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karaxhoski, që në dhjetor të vitit 2020. “Fakt është që ne kemi numër të madh të viktimave me COVID-19. Në fillim të pandemisë vendosëm që të gjithë njerëzit që vdesin nga ndonjë rrethanë tjetër, t’i regjistrojmë me COVID-19, nëse pas vdekjes janë diagnostikuar me koronavirusin e ri”, kishte deklaruar Karaxhoski. Megjithatë, ekspertë të tjerë të shëndetësisë disa herë kishin kërkuar ndryshimin e mënyrës së evidentimit të personave të vdekur me COVID-19. Por, kërkesa e tyre pritet të shqyrtohet tani, pas ndryshimeve që kanë ndodhur në udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Komisionin për Sëmundje Infektive.
Një problem tjetër që po ndikon në numrin e madh të vdekjeve shihet edhe interesimi i ulët për t’u vaksinuar kundër koronavirusit. Mjekët thonë se personat me sëmundje shoqëruese mund t’i mbijetojnë infektimit me koronavirus, sikur të jenë të vaksinuar, por në rast se refuzojnë të vaksinohen, ata mund të përfundojnë edhe me vdekje, pasi virusi ndërlikon edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore. Ndryshe, dy doza të vaksinës kanë marrë jo më shumë se 40 për qind e popullsisë, shifër kjo ndër më të ulëtat krahasuar me disa shtete evropiane, që tashmë kanë vendosur lehtësimin e masave shtrënguese.
Edhe për nga numri i vdekjeve, Maqedonia e Veriut radhitet ndër shtetet e para në rajon dhe më gjerë sa u përket viktimave nga COVID-19 krahasuar me 1 milion banorë. Sipas të dhënave në faqen e internetit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse, Maqedonia e Veriut në 1 milion banorë ka 173 vdekje, Mali i Zi 138, Serbia 103, Shqipëria 26 dhe Kosova 8. Pas Maqedonisë së Veriut janë edhe dy shtetet fqinje të saj, Greqia me 133 dhe Bullgaria me 157 vdekje në 1 milion banorë. Të dhënat janë të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe bazohen në të dhënat e përditësuara në periudhën mes 24 janarit dhe 6 shkurtit.