Partia E Majta ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se e ka mashtruar opinionin publik me pretendimin se nuk qëndron pas punësimit të mundshëm të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, në një pozitë profesori universitar. Nga partia e Apasievit thonë se, pas tentativës së pasuksesshme për angazhimin e tij në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, tani po bëhen përpjekje që ai të zgjidhet profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit “Goce Dellçev”.
Në kumtesën e partisë thuhet se ekzistojnë “informacione të konfirmuara”, sipas të cilave, Kostadinovski, me mbështetjen e strukturave qeveritare, po përgatitet për një angazhim akademik në Shtip, duke tentuar të shfrytëzojë dispozita nga Ligji i vjetër për Arsimin e Lartë.
“Pas tentativës së pasuksesshme për ta sistemuar gjyqtarin aktual kushtetues Darko Kostadinovski në Fakultetin Juridik ‘Justiniani i Parë’ pranë UKIM-it, ai tani është i vendosur fuqishëm – me presione qeveritare dhe logjistikë ministrore, të sistemohet si profesor universitar në Fakultetin Juridik të UGD-së në Shtip”, thuhet në reagimin e partisë E Majta.
Partia i referohet edhe një vendimi të Senatit të Universitetit “Goce Dellçev”, të miratuar më 27 maj të këtij viti, me të cilin është ndryshuar Rregullorja për zgjedhjen në tituj mësimor-shkencorë. Sipas partisë E Majta, ndryshimet mundësojnë që iniciativën për shpalljen e procedurës për zgjedhje në titull ta paraqesë dekani ose rektori, dhe jo vetëm Katedra përkatëse, siç ka qenë më parë. Sipas tyre, kjo është bërë për të anashkaluar kundërshtimin e Katedrës të së Drejtës Ndërkombëtare. “Kjo kurdisje personale po bëhet me një qëllim të qartë dhe perfid – të anashkalohet kundërshtimi i deritanishëm dhe i arsyeshëm i Katedrës të së Drejtës Ndërkombëtare për të shpallur një konkurs të kurdisur”, thuhet në reagim.
E Majta ngre gjithashtu pyetje nëse për Kostadinovskin është siguruar numri i nevojshëm i orëve mësimore dhe nëse kualifikimet e tij akademike në fushën e së drejtës ndërkombëtare janë të përshtatshme për ligjërimin e lëndës të së Drejtës Kushtetuese.
Nga partia vlerësojnë se veprime të tilla paraqesin një përpjekje për “VMRO-izimin” e Fakultetit Juridik në Shtip dhe paralajmërojnë se kjo mund ta dëmtojë besimin në arsimin e lartë. “E Majta apelon te udhëheqësia e UGD-së që të mbetet e ndërgjegjshme, e ndershme dhe dinjitoze dhe të mos i nënshtrohet çfarëdo presioni, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur autonominë universitare”, thuhet në fund të reagimit.


