Grupi parlamentar i së Majtës njoftoi sot pasdite se përmes deputetit Borisllav Krmov si anëtar i Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve do të paraqesë një propozim për shkarkimin e kryetares së KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska.
Nga E Majta theksojnë se është e papranueshme që Kuvendi të jetë pasiv dhe të presë që vetë kryetarja të japë dorëheqje për arsye morale, kur kundër Dimitrovskës janë duke u zhvilluar dy hetime penale dhe ajo nuk ka ardhur në punë për më shumë se dy muaj.
Nga E Majta, me thirrje iu drejtuan shumicës qeveritare që të iniciojë ndryshime ligjore në Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe ndeshjes së interesit, me qëllim, siç thonë ata, vendosjen përfundimtare të kritereve dhe standardeve profesionale për punën e këtij organi.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi në brifingun e sotëm me gazetarët se duhet të ketë një vendim gjyqësor të formës së prerë në mënyrë që të fillojë një procedurë në shtëpinë ligjvënëse për revokimin e mandatit të kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, e cila akuzohet për zbulimin e sekreteve zyrtare dhe falsifikimin e provimit për marrjen e certifikatës së sigurisë.