Fitim Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, ka deklaruar se i shumëkërkuari Talo Çela është vrarë në Elbasan.
Në një intervistë, Fitim Dumani është shprehur se Talo Çela është vrarë duke ngrënë bukë nga vëllezërit Çopja, në restorantin që këta të fundit kanë në pronësi në Elbasan.
“Talo Çelën e kanë vrarë duke ngrënë bukë. Në restorant në Elbasan. U vra nga vëllezërit Çopja. Vetë restoranti ishte i vëllezërve. E vranë që mos të fliste. E vranë që të humbnin gjurmët”, është shprehur ndër të tjera, Fitim Dumani gjatë një interviste për gazetarin Flamur Vezaj në podcastin “MaShqip”.
Mes të tjerash ai ka pohuar se konflikti mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, dikur miq të ngushtë, nisi për një borxh prej 10 mijë euro.
“Janë prish për 10 mijë euro që Altin Ndoci i kishte Dashnorit. Altini ishte ushtar i Talos. Dora e parë që njihej me Çopjat“, tha ai.
Prej rreth 3 vitesh, nuk dihet më asgjë rreth Talo Çelës, i cili është një nga më të kërkuarit e policisë.