“E diela ditë jo pune”, mbetet pas zgjedhjeve lokale

“E diela ditë jo pune”, mbetet pas zgjedhjeve lokale

Punonjësit do të presin të paktën edhe një muaj që të miratohet vendimi ligjor që e diela të jetë ditë jo pune. Edhe pse propozim- ndryshimet e Ligjit të Marrëdhënieve të Punës në seancë qeveritare kaluan para dy muajve, deputetët nuk arritën t’i miratojnë para fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale. Kryetari i Komisionit të Punës dhe Politikës Sociale Hisni Ismaili shprehet se është e pamundur që e diela ditë jo pune të fillojë të vlejë nga 1 tetori sepse do të pritet të kalojnë zgjedhjet lokale që të caktohet përsëri debati i komisionit.

Deputetët u përplasën mes vete, ishte e pamundur të mbahet seancë në atmosferë të tillë. Përfundoi java, nuk ka kohë, sot është e premte, me sa duket ky ligj do të mbetet pas zgjedhjeve. Nga dita e hënë fillon fushata e zgjedhjeve, kështu që është e pamundur të mbahet seanca. Menjëherë pas zgjedhjeve, unë do të jem i pari që do të caktojë seancë dhe jam i bindur se do të kalojë mirë -deklaroi Hisni Ismaili- Kryetar i Komisionit të Punës dhe Politikës Sociale.

Dy komisionet e fundit kaluan pa debat për këtë ligj sepse deputetët e pushtetit dhe opozitës mes vete akuzoheshin për tragjedinë në spitalin e Tetovës. Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës vazhduan edhe në nivel partiak. Pushteti akuzon opozitën se qëllimisht e bllokon ligjin, ndërsa opozita thotë se ligji i propozuar nuk do të vlejë për të gjithë qytetarët. Sipas propozimit, të dielën do të mund të punojnë ato veprimtari që nuk mund ta ndalin procesin e punës. Punonjësit në këto degë që do të punojnë të dielën do të marrin mëditje më të lartë prej minimum 50% nga mëditja e rregullt dhe ditë të lirë në shtatë ditët e ardhshme.