Besiana Kadare, e bija e shkrimtarit të madh të ndjerë, Ismail Kadare, ka përkujtuar 89 vjetorin e lindjes së tij.
Përmes një postimi në rrjete sociale, krahas një fotoje të vjetër në të cilën shfaqet ajo e vogël pranë të atit të saj, Ismail Kadarenë, shkruan: “89 vjeç. Sot është hera e parë që babui ka ditëlindjen por nuk është më i kësaj bote.”
Kujtojmë se shkrimtari i madh Ismail Kadare ndërroi jetë më 1 korrik 2024, në moshën 88 vjeç. Për kolosin e letrave shqipe, u mbajtën dy ditë zie kombëtare.
Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare.
Ai ishte shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është përkthyer në 45 gjuhë.
Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe ka dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Kolosi i letrave shqipe lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936. Ai ka qenë akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar shquhej kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihej edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.