Dita ndërkombëtare për ndërgjegjësimin ndaj minave për 2025 do të shënohet me temën “E ardhmja e sigurt fillon këtu”.
Në mesazhin e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, ka thënë se në mbarë botën, mbi 100 milionë njerëz janë në rrezik nga minat tokësore, mbetjet shpërthyese të luftës dhe mjetet shpërthyese të improvizuara, raporton KosovaPress.
“Nga Afganistani në Mianmar, nga Sudani në Ukrainë, Siri dhe më gjerë, këto pajisje vdekjeprurëse mbushin komunitetet rurale dhe urbane, duke vrarë pa dallim civilë dhe duke bllokuar përpjekjet jetike humanitare dhe zhvillimore. Edhe kur armët heshtin, këto mbetje të luftës mbeten, të fshehura në fusha, në shtigje dhe rrugë, duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm dhe jetesën e komuniteteve”, ka thënë Guterres.
Ai tha se tema e shënimit të kësaj dite, “E ardhmja e sigurt fillon këtu”, kujton rolin kritik të veprimit ndaj minave në rindërtimin e komuniteteve të shkatërruara, mbështetjen e të mbijetuarve dhe krijimin e paqes.
Guterres u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë që të ratifikojnë dhe zbatojnë plotësisht Konventën e Ndalimit të Minave Kundër Personelit, Konventën për Municionet Thërrmuese dhe Konventën për Disa Armë Konvencionale.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje shteteve të respektojnë angazhimet globale në Paktin për të Ardhmen e miratuar së fundmi për të kufizuar ose përmbajtur përdorimin e armëve shpërthyese në zonat e populluara dhe për të mbështetur të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fund kërcënimit të municioneve shpërthyese.
Kujtojmë, më 8 dhjetor 2005, Asambleja e Përgjithshme deklaroi se 4 prilli i çdo viti do të respektohet si Dita Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin e Minave dhe Ndihmën në Veprimin ndaj Minave.