Fatmir Bytyqi
Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim (SKZH) paraqet një pikë kthese në historinë e vendit tonë. Për herë të parë që nga pavarësia, arritëm të hartojmë një udhërrëfyes gjithëpërfshirës që shpreh aspiratat, synimet dhe prioritetet tona për njëzet vitet e ardhshme. Ajo që e veçon këtë strategji nuk është vetëm vizioni i saj ambicioz, por procesi përmes të cilit u formulua – një proces i karakterizuar nga gjithëpërfshirja.
Implikimet e tij të vlerave dalin nga korniza që ai vendos, përmban dimensione të shumëfishta që artikulohen dhe mund të kenë një rol të rëndësishëm në disa segmente të jetës sonë shoqërore dhe politike. Nga një këndvështrim vlerash, SKZH mund të na mësojë shumë për rëndësinë e etosit demokratik të sistemit politik, për rëndësinë e ruajtjes së diversitetit etnik, kulturor dhe politik, ai përmban një korpus të thellë vlerash që mund të jetë burim i transformimeve më të gjera shoqërore.
SKZH-ja përfaqëson kulmin e përpjekjeve për të angazhuar faktorë të ndryshëm në zhvillimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e shtetit. Nëpërmjet një sërë takimesh pune, konsultimesh, anketash dhe forumesh publike, në të cilat u përfshinë më shumë se 14.000 qytetarë nga të gjitha sferat e jetës shoqërore, arritëm të krijojmë një mundësi që të gjithë të kontribuojnë me sugjerimet dhe idetë e tyre. Kjo qasje e gjerë pjesëmarrëse ka siguruar që SKZH-ja të pasqyrojë nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të cilëve do t’u shërbejë. Gjithashtu, inkuadrimi i përfaqësuesve nga shoqëria civile, komuniteti akademik, komuniteti i biznesit dhe të gjitha partive politike siguroi legjitimitetin e tij, duke rritur perspektivat për zbatimin e suksesshëm të tij.
Procesi i krijimit të SKZH-së nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes jo vetëm si një mjet për arritjen e qëllimit, por edhe si një vlerë thelbësore demokratike. Duke përfshirë perspektiva të ndryshme dhe duke u angazhuar në dialog me faktorë të ndryshëm pavarësisht nga dallimet e tyre, ne arritëm të tregojmë se mund të jemi të përkushtuar ndaj parimeve demokratike të të menduarit, pluralizmit dhe ndërtimit të konsensusit. Gjithëpërfshirja ka dëshmuar të jetë një katalizator për inovacionin, kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve, duke na mundësuar të shfrytëzojmë mençurinë dhe profesionalizmin e qytetarëve në përcaktimin e kursit njëzetvjeçar të vendit.
Në një kohë kur po përgatitemi për zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, mund t’i shikojmë ato edhe nga prizmi i asaj që pati sukses të arrijë SKZH-ja, e çdo zë edhe u dëgjua. E në thelbin e çdo procesi zgjedhor qëndron parimi i gjithëpërfshirjes, i cili garanton se çdo zë dëgjohet dhe çdo zë është i rëndësishëm, ndaj duhet ta pranojmë atë si themelin e një procesi demokratik të drejtë dhe transparent. Duke lehtësuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e gjerë të një sërë segmentesh të ndryshme të shoqërisë, gjithëpërfshirja do të forcojë legjitimitetin e rezultateve zgjedhore dhe do të forcojë besimin e qytetarëve në sistemin demokratik.
Procesi i hartimit dhe miratimit të SKZH-së është dëshmuar gjithashtu të jetë i dobishëm për ndërtimin e një sistemi politik rezistues, gjithëpërfshirës dhe efektiv. SKZH-ja është një argument i kapacitetit të institucioneve tona politike për të lehtësuar dialogun, bashkëpunimin dhe ndërtimin e konsensusit ndërmjet partive të ndryshme politike, një përvojë me të cilën, qëllimisht ose jo, rrallë jemi mësuar. Me një konsensus mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend dhe votimin e saj me një shumicë gati dy të tretash, pra me 78 vota “pro”, SKZH-ja u bë një argument se edhe në mjediset e polarizuara politike, bashkëpunimi dhe kompromisi janë të mundshme për të mirën e qytetarëve.
SKZH-ja hodhi një dritë tjetër mbi rolin dhe rëndësinë e Kuvendit si një institucion qendror për të menduarit dhe vendimmarrjen demokratike. Si një forum ku u debatua dhe u miratua ligji i SKZH-së, arritëm ta prezantojmë Kuvendin në një perspektivë më ndryshe nga ajo që jemi mësuar, treguam se mund të jetë edhe një arenë e diskursit demokratik, e perspektivave të ndryshme që përballen me njëri-tjetrin dhe në fund pajtohen. Kur përdoren proceset pjesëmarrëse të demokracisë parlamentare, atëherë harmonizohen interesat konkurruese.
Kuptimi i gjithëpërfshirjes që e kemi arritur, nuk duhet ta kufizojmë medoemos në institucionet e sistemit, duhet ta lëmë, ta inkurajojmë dhe ta ushqejmë që të shtrihet edhe në jetën partiake në shtet.
Është thelbësore për nxitjen e debatit të brendshëm, promovimin e pikëpamjeve, opinioneve të ndryshme dhe sigurimin që strukturat e partisë dhe proceset vendimmarrëse të jenë të hapura dhe transparente për anëtarët. Në këtë drejtim, procedurat gjithëpërfshirëse për përzgjedhjen e kandidatëve për funksione të ndryshme shtetërore dhe mekanizma për politikëbërje pjesëmarrëse, janë të rëndësishme për ruajtjen e vlerave demokratike. Ky është një nga mësimet që partitë politike duhet të mësojnë nga ajo që bëmë me SKZH-në.
SKZH-ja arriti të shprehë diversitetin etnik, kulturor dhe politik në vendin tonë, të vendosë një kornizë për ta ruajtur atë në dy dekadat e ardhshme, por njëkohësisht vendosi një mjet të vlerave të mbrojtjes nga përjashtimi, margjinalizimi dhe tensionet ndërgrupore. Në këtë kuptim, pranimi sistemor i gjithëpërfshirjes nënkupton respektimin e të drejtave dhe identiteteve të të gjitha grupeve, nxitjen e ndjenjës së përkatësisë dhe kohezionit midis komuniteteve të ndryshme dhe promovimin e kohezionit dhe solidaritetit social.
Kjo strategji është një shembull i kultivimit të një kulture politike demokratike të karakterizuar nga toleranca, dialogu dhe respekti reciprok. SKZH-ja duhet të na mësojë se duke respektuar gjithëpërfshirjen ne mund të krijojmë një diskurs politik që tejkalon ndasitë partiake, duke inkurajuar angazhimin konstruktiv, kompromisin dhe ndërtimin e konsensusit. Në këtë mënyrë do të krijojmë mundësi dhe mekanizma më të mirë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të kapitalit njerëzor, do të çlirojmë inovacionin dhe kreativitetin që do të na ndihmojë të përballemi më lehtë me sfidat e ndërlikuara.
Për ne socialdemokratët, gjithëpërfshirja nuk është thjesht një aspiratë e lartë, por një parim fundamental që mbështet strukturën e një shoqërie në të cilën kremtohet diversiteti, dëgjohen zërat dhe përparimi kolektiv arrihet përmes unitetit dhe solidaritetit.