Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Prato të Italisë, ku një 35-vjeçar shqiptar është goditur për vdekje me thikë në rrugën Corridoni ditën e djeshme. Viktima ka qenë i rrethuar nga një grup bashkatdhetarësh, të cilët e kanë goditur në zemër, duke e lënë të vdekur në asfalt.
Në vendngjarje është gjetur gjithashtu një 21-vjeçar shqiptar, i cili ishte plagosur disa herë me thikë. Ai, siç raportohet, ka ndërhyrë për të mbrojtur 35-vjeçarin, por ka përfunduar i plagosur në përpjekjet e tij. Viktima, i cili nuk kishte dokumente me vete, ende nuk është identifikuar.
Sulmi ndodhi në një kopsht publik pranë zonës së Via Baracca dhe dyshohet të ketë pasur shkak një grindje mes bashkatdhetarëve, me mundësinë e larjes së hesapesh mes shqiptarëve. Autorët e krimit janë arratisur dhe janë në kërkim, ndërsa thika me të cilën u krye krimi nuk është gjetur ende.
Hetimet e policisë po vazhdojnë me ritëm të shpejtë, dhe dy persona janë tashmë në shënjestër të hetuesve. Megjithatë, hetimi është ende në zhvillim të plotë.