Vllaznia ka reaguar duke argumentuar kërkesën e bërë nga Klubi për kryerjen e një testi fiziologjik për volejbollisten e Dinamos, Nayra Ferreira, duke u shprehur se qëllimi është tërësisht sportiv dhe mjekësor.
“Qëllimi i kërkesës sonë drejtuar Federatës Shqiptare të Volejbollit, ka qenë dhe mbetet plotësisht sportiv dhe mjekësor”, thekson Klubi.
Gjithashtu theksoi se kërkesa nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me gjininë biologjike apo identitetin personal të sportistes.
Në reagimin e Vllaznia theksohet se çdo interpretim në këtë drejtim është i gabuar dhe nuk përkon me frymën sportive të klubit, “i cili gjithmonë ka respektuar dinjitetin dhe barazinë e çdo sportisti apo sportisteje”.
“Klubi Vllaznia solidarizohet plotësisht me volejbollisten Nayra Ferreira dhe dënojmë me forcë sulmet dhe denigrimet personale që mund të ketë patur në media apo rrjete sociale. Kujtojmë se në Shkodër janë zhvilluar lëvizjet e para për të drejtat e grave e vajzave në vend, janë krijuar ekipet e para sportive të vajzave si dhe Shkodra ka qenë dhe është qyteti i emancipimit dhe respektimit të të drejtave sidomos për gratë dhe vajzat. Ndaj klubi Vllaznia nuk mund të shkelë mbi historinë, traditat, vetveten dhe identitetin e qytetit”, thuhet në reagim.
Ndërsa Klubi i bëri thirrje Federatës Shqiptare të Volejbollit që të bëjë transparencë të plotë lidhur me çështjen dhe sipas tyre, me kërkesën zyrtare të klubit Vllaznia që nuk lidhet me gjininë biologjike por një vlerësim të përgjithshëm funksional mjekësor.
“Po ashtu kërkojmë nga Federata që sa më shpejt të jetë e mundur të ketë një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën tonë për të sqaruar vetë lojtaren Ferreira, klubet sportive dhe opinionin publik dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të qëllimshëm apo jo si dhe çdo situatë të tensionuar që mund të jetë krijuar në mënyrë të padrejtë për të gjitha palët e përfshira”, shton Klubi.
Njoftimi:
- Qëllimi i kërkesës sonë drejtuar Federatës Shqiptare të Volejbollit, ka qenë dhe mbetet plotësisht sportiv dhe mjekësor. Klubi Vllaznia ka kërkuar kryerjen e një testi fiziologjik për lojtaren në fjalë. Termi “test fiziologjik” është përdorur në kuptimin e një vlerësimi mjekësor funksional, që lidhet me gjendjen fizike, përgatitjen dhe performancën e një sportisteje, ashtu siç praktikohet në mënyrë të rregullt në shumë disiplina sportive.
- Kërkesa nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me gjininë biologjike apo identitetin personal të sportistes. Çdo interpretim në këtë drejtim është i gabuar dhe nuk përkon me frymën sportive të klubit tonë, i cili gjithmonë ka respektuar dinjitetin dhe barazinë e çdo sportisti apo sportisteje.
- Vllaznia mbështet transparencën, korrektësinë dhe integritetin në sport, ndaj kërkesa jonë ka pasur për qëllim vetëm sigurimin e kushteve të barabarta të garës, bazuar në standarde mjekësore dhe sportive, jo paragjykime personale apo gjinore.
- Ne dënojmë çdo formë të keqinterpretimeve apo sulmeve personale që mund të krijojnë tensione të panevojshme në sportin shqiptar, dhe ftojmë të gjitha palët që të respektojnë proceset institucionale dhe dinjitetin e sportistëve.
- Klubi Vllaznia mbetet i hapur për bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Volejbollit dhe klubet e tjera për çdo sqarim të mëtejshëm teknik apo procedurial.
- Ne si klub kemi qenë dhe mbetemi për një sport të pastër, të ndershëm dhe me respekt për çdo individ, pavarësisht gjinisë, origjinës apo bindjeve personale.
- Klubi Vllaznia solidarizohet plotësisht me volejbollisten Nayra Ferreira dhe dënojmë me forcë sulmet dhe denigrimet personale që mund të ketë patur në media apo rrjete sociale. Kujtojmë se në Shkodër janë zhvilluar lëvizjet e para për të drejtat e grave e vajzave në vend, janë krijuar ekipet e para sportive të vajzave si dhe Shkodra ka qenë dhe është qyteti i emancipimit dhe respektimit të të drejtave sidomos për gratë dhe vajzat. Ndaj klubi Vllaznia nuk mund të shkelë mbi historinë, traditat, vetveten dhe identitetin e qytetit.
- I bëjmë thirrje Federatës Shqiptare të Volejbollit që të bëjë një transparencë të plotë lidhur me çështjen në fjalë dhe kërkesën zyrtare të klubit Vllaznia që nuk lidhet me gjininë biologjike por një vlerësim të përgjithshëm funksional mjekësor. Po ashtu kërkojmë nga Federata që sa më shpejt të jetë e mundur të ketë një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën tonë për të sqaruar vetë lojtaren Ferreira, klubet sportive dhe opinionin publik dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të qëllimshëm apo jo si dhe çdo situatë të tensionuar që mund të jetë krijuar në mënyrë të padrejtë për të gjitha palët e përfshira.
9.Njëkohësisht i bëjmë thirrje Federatës Shqiptare të Volejbollit që të miratojë sa më shpejt një rregullore të qartë dhe të unifikuar bazuar mbi ato të Federatës Europiane të Volejbollit dhe Federatës Botërore të Volejbollit mbi testimet mjekësore dhe fiziologjike në laboratore të licensuara, në mënyrë që raste të tilla të mos lënë hapësirë për keqinterpretime apo tensione të panevojshme në të ardhmen.


