Që nga janari dhe deri më tani, prokuroritë publike në vend, kanë shqyrtuar vetëm një lëndë të dorëzuar nga Komisioni për Anti-korrupsion edhe pse deri në fund të vitit 2019, prokuroritë kanë pranuar dhjetëra lëndë me dyshime për korrupsion, keqpërdorime të detyrës zyrtare, konflikte interesi e të tjera. Të pyetur se cilat lëndë për momentin i kanë hapur, nga Prokuroria themelore nuk zbardhën detaje. Thanë se një pjesë e lëndëve të pranuara nga Anti-korrupsioni si nismë ose informatë janë inkuadruar në më shumë lëndë të formuara.
Nga anti-korrupsioni shprehen të pakënaqur me punën e prokurorisë. Kryetarja Biljana Ivanovska madje shprehet e dëshpëruar edhe për kushtet e vështira me të cilat ballafaqohen prokurorët.
“Ajo që mua pak, të mos them më dëshpëron, por nuk më jep shpresë, është ajo që prej në shtator të vitit 2019 në Prokurorinë publike republikane, kuptuam se edhe prokurorët nuk disponojnë me resurse, nuk kanë pajisje të mjaftueshme, kompjuterë e kështu me radhë, gjë që ua zvarrit kohën e vendimit dhe ua zvogëlon efikasitetin në punë.”- deklaroi Biljana Ivanovska, Antikorrupsion.
Ekspertët vlerësojnë se shteti vazhdon të ketë problem serioz me luftimin e korrupsionit. Sllagjana Taseva nga Transparencë Maqedoni, thotë se nevojitet reformim i sistemit të drejtësisë dhe ndërtim i institucioneve që do të garantojë llogaridhënie dhe përgjegjësi.
“Çështjet e vërteta për të cilat duhet të bisedohet është se, si institucionet sillen dhe veprojnë për kërkesat e Anti-korrupsionit, iniciativat e tyre dhe dëshmitë e tyre. Do të thotë se atë që e punon Komisioni, duhet të ketë përfundim nga institucionet e tjera. E jo institucionet ti injorojnë kërkesat e Komisionit. Për shembull për kërkesën që të deklarohet nëse do e shkarkojë dikë tek i cili ka konflikt të interesave, ministria lejon që vetë personat të vendosin nëse do të japin dorëheqje ose të shkarkohen”- pohoi Sllagjana Taseva, Transparencë Maqedoni.
Taseva shton se Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit, sa më shpejtë që është e mundur duhet ti sigurohen hapësirat e reja për punë, me kushte më adekuate për të kryer obligimet e tij.



