Dy të dënuar, që janë brenda burgut të Idrizovës, i kanë rënë shumë pishman, pse u zunë mes tyre.
Kjo pasi, incidenti që shkaktuan, mund t’u kushton me mospërfshirjen e tyre në listën e të amnistuarve.
Incidenti, thuhet të jetë shkaktuar për arsye banale, ndërsa njëri nga të burgosurit përfundoi në spitalin Nënë Tereza të Shkupit.
“Sulmuesi K.A. i moshës 30 vjeçare nga Shkupi është i dënuar për veprën dhunë dhe rrahje, i cili vuan dënimin prej 2 vjet e 7 muajsh. Ndaj këtij personi janë marrë masat disiplinore dhe rishikohet mundësia e mos përfshirjes së tij në listën e të amnistuarve sipas ndryshimeve të fundit të ligjit”, nga Drejtoria e Burgut “Idrizova”.
Sjellja eventuale e të amnistuarve që pritet të lirohen, po shkakton polemika në mesin e organizatave të ndryshme, që dyshojnë në rehabilitimin dhe risocializimin e duhur të të amnistuarve.
Komiteti i Helsinkit, organizatë kjo për të drejtat e njeriut, është skeptike për sigurinë e qytetarëve, dhe sipas Uranija Pirovska një amnisti masive e të burgosurve, mund të cenoj qetësinë dhe rendin publik.
“Të burgosurit, posaçërisht në burgun e Idrizovës, jo vetëm që nuk riedukohen, por bëhen kriminel edhe më të mëdhenj. Në burgun e Idrizovës mbizotëron bashkësia e kriminelëve. Atje të burgosurit nuk kanë mundësi të risocializohen, nuk ka asnjë program që do t’ju mundësonte t’i kuptojnë pasojat e veprave të tyre që i kanë bërë dhe mos t’i përsërisin ato! Që në liri të bëhen sërish pjesë e shoqërisë”, u shpreh Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut.
Profesori universitar Lubomir Frçkoski thotë se ligji i amnistisë është sjellë për të liruar të burgosurit me vepra të lehta, shkaku i kushteve në qeli dhe për të “amortizuar” mbipopullimin e burgjeve.
Ai nuk sheh ndonjë kanosje, meqë pret që shoqëria të jetë aq e pjekur, sa t’i pranoj të burgosurit të adaptohen në liri.
“Efektet kundër këtij ligji, ku thuhet se do të lirohen kriminelët në rrugë, kjo do të sjell pasiguri ose rritje të krimit, por në parim, kjo nuk ndodhë pas amnistisë. Të burgosurit që pritet të amnistohen, një pjesë të dënimit e kanë vuajtur në burg; kanë kaluar njëlloj procesi të risocializimit. Ata do të jenë nën vëzhgim të shtuar pasi të lihen të lirë! Dhe, sigurisht, do të ketë kusht që mos të bëjnë vepra të reja penale”, tha Frçkoski.
Ministria e brendshme hedh poshtë paralelen, se me amnisti rrezikohet rendi dhe qetësia.
Rreth 500 kërkesa po procedohen nga burgu i Idrizovës tek Këshilli Penal i Gjykatës Themelore, ku brenda javës pritet lirimi i grupit të parë. Amnistia nuk vlen për të dënuarit me burg të përjetshëm, apo vrasësit. Burgu nuk do t’ju falet as përdhunuesve dhe pedofilëve.

