Oda e Stomatologëve të Maqedonisë së Veriut është përfshirë së fundmi në një valë kritikash dhe diskutimesh publike, pas publikimit të disa informacioneve që ngjallin dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve dhe kompetencave të saj.
Sipas dokumenteve që janë bërë publike, kryetari i Odës, Marijan Denkovski, vazhdon të marrë një pagë mujore prej rreth 2.300 euro, edhe pse që nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për t’i hequr kompetencat Odës në lidhje me licencimin e stomatologëve, roli funksional i institucionit është ndjeshëm i reduktuar, shkruajnë disa media.
Po ashtu, dokumentet tregojnë se gjatë vitit 2023 janë realizuar shpenzime për udhëtime zyrtare në vlerë prej rreth 390.000 denarë, ndërsa në vitin 2024 këto shpenzime kapin shumën prej rreth 350.000 denarë. Një pjesë e këtyre shpenzimeve lidhen me pjesëmarrjen në një kongres të mbajtur në Shangai, Kinë, ku përveç Denkovskit kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë të përfshirë në punën e Odës. Sipas informacioneve, këto udhëtime janë financuar nga fondet e mbledhura nga anëtarësit e Odës.
Për vitin 2024, Denkovski është paguar gjithsej rreth 24.000 euro deri më tani, ndërsa për tërë vitin kjo shumë pritet të arrijë afërsisht 28.000 euro.
Nga disa anëtarë të Odës është ngritur shqetësimi se praktikat aktuale të menaxhimit, përfshirë përzgjedhjen e pjesëmarrësve në udhëtime zyrtare dhe trajtimin e personave me mendime të kundërta, mund të ngrenë pikëpyetje për transparencën dhe gjithëpërfshirjen në vendimmarrje.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë kishte marrë më herët vendim për të pezulluar kompetencat e Odës në lidhje me dhënien dhe rinovimin e licencave për stomatologët, për shkak të dyshimeve mbi parregullsi të ndryshme, si: dhënie e licencave pa përmbushur kriteret, transaksione të diskutueshme në lidhje me objekte afariste, shpenzime pa mbulesë financiare, si dhe përfitime të dyshuara jashtë rregullores për të punësuarit.
Sipas burimeve, të gjitha dokumentet përkatëse janë dorëzuar pranë institucioneve përkatëse, përfshirë Policinë Financiare dhe Prokurorinë, të cilat janë duke e shqyrtuar çështjen.
Mbetet të shihet nëse institucionet kompetente do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të verifikuar dhe adresuar dyshimet e ngritura.