Shtëpia ka qenë katastrof, nuk ka mund të hyhet brenda. Zoti mos na e sjelltë edhe njëherë këtë fatkeqësi! – u shpreh Sadije Sulejmani, banore e Hasanbegut.
Kështu banorët e fshatit Hasanbeg kujtojnë tmerrin e përjetuar dy vite më parë ku humbën gjithçka që kishin, madje kishte prej tyre që humbën edhe më të dashurit e tyre. Sadije Sulejmani, nëna e tre fëmijëve ende po i vuan pasojat e vërshimeve të 2016-tës. Shtëpinë brenda ende e ka pa kushte të mirëfillta për jetë, e ndërsa me 2000 eurot që ua ka dhënë shteti kanë mundur të rregullojnë vetëm oborrin dhe hyrjen e shtëpisë. Gjithçka çfarë kanë pasur brenda shtëpisë kanë përfunduar në mbeturina sepse dëmtimet nga uji kanë qenë tepër të mëdha. Si pasojë, ende nuk po jetojnë siç kanë jetuar më parë.
Nga familja ime nga jashtë çfarë kam mbledhur para e kam rregullua shtëpinë brenda, edhe atë deri diku më shumë skam pas mundësi ta rregulloj. Muret i kemi rregulluar vetë, mjeshtërit i kemi paguar vetë, ulëset, kuzhinën, vitrinën, dyert, dritaret e dhomës të gjitha vetë i kemi rregullua. Me paratë e shtetit vetëm oborrin çka e kemi rregullu, asgjë tjetër. Kemi kërkuar nga komuna, na kanë thënë se s’ka”- theksoi Sadije Sulejmani, banore e Hasanbegut.
Dy vite më pas, banorët janë të revoltuar se si nuk janë riparuar dëmet infrastrukturore të cilat edhe sot e kësaj dite paraqesin rrezik në rast të reshjeve të dendura. Kanali i hapur në mes fshatit ende është i pa rregulluar, banorët druajnë se në rast të ndonjë fatkeqësie tjetër të ngjashme nuk do të dinë se si të mbrohen e ndërkohë kërcënohen me protesta në rast se nuk ndërmerren masa.
“ S’ka bë asgjë shteti prej vërshimeve e këndej, ja shihni. Edhe ajo Qeveri edhe kjo, këtu në Hasanbeg nuk kanë investu edhe ma merr mendja se as nuk do investojnë më. Por edhe kjo punë do të kryhet, dalim dhe ne i bllokojmë rrugët, i kërkojmë të drejtat tona”.
“Askush nuk ka ardhë të thotë si i keni punët, se keni pasë me të vërtetë dëme të mdhaja, si është puna a keni marr diçka, a është paguar dikush apo jo. Sa e di unë jo!”.
“Nuk e di djali sa ka marrë, 1200 euro. Shkova dy tre herë me djalin, nuk ka edhe u humbën”.
Por megjithatë, shtëpitë të cilat gati u rrënuan nga vërshimet, tani janë rindërtuar. Disa prej banorëve i kanë ngritur shtëpitë me ndihmat e familjarëve e disa të tjerë përmes kredive bankare. Por nga shteti, asnjëri nuk ka arritur të krijojë kushtet elementare për jetë.
Unë për vete shtëpinë çfarë e kam ndërtuar, të gjithën me ndihmën e vëllezërve të mi dhe e kam kompensua dëmin me vëllezërit e mi dhe jo me të shtetit. Gjithçka që kemi vënë, është nga familja. Shteti na ka ndihmuar vetëm për të ngrënë e për të pi, se për të hyrë në shtëpitë tona ne kemi investuar vetë, familja, shoqëria por prej shtetit jo. Unë nuk di prej shtetit se kemi marrë para”- u shpreh një banor.
Më gjashtë gusht të 2016-tës vërshimet që kapluan rajonin e Shkupit, lan pas vete 23 viktima.
Mbi 5000 familje pësuan dëme të mëdha ndërsa mbi 600 hektarë tokë bujqësore u shkatërrua tërësisht. Asnjëri nga institucionet nuk morri përgjegjësi që për vite me radhë ka pasur lëshime të dukshme infrastrukturore dhe mungesë e investimeve në infrastrukturë, por tragjedinë e banorëve të prekur e konstatuan si fatkeqësi natyrore. Edhe dy vite pas, shumë banorë kanë mbetur pa kulm mbi kokë ndërsa kompensimi i dëmeve siç thonë ata është qesharak në krahasim me dëmet e pësuara.
/Alsat-M/