Një rast blerje votash e një nënkryetar partie që kanos një qytetar
Në qarkun e Fierit janë regjistruar dy raste të krimeve elektorale lidhur me zgjedhjet e djeshme parlamentare.
Sipas njoftimit të policisë, është arrestuar një 63-vjeçar i cili dyshohet se gjatë një muaj ka arritur t’u blejë votën disa qytetarëve në favor të një kandidateje të një subjekti politik.
“Si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK, dokumentohet një rast i blerjes së votave. Vihet në pranga autori. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik.Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Nënkryetari i një partie në qarkun e Fierit është proceduar penalisht pasi dyshohet se ka kanosur në platformën “Messenger” një qytetar për dhënien e votës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., 27 vjeç, banues në fshatin Bubullimë, pasi ka kallëzuar shtetasi J. Ç., 28 vjeç, se shtetasi 27-vjeçari, nënkryetar i një subjekti politik në Lushnjë, e ka kanosur në platformën “Messenger”, për dhënien e votës. Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesmarrjes në zgjedhje”, njofton policia.
Të dyja rastet i janë referuar SPAK-ut për veprime të mëtejshme.