Dy persona janë lënduar ndërsa 20 automjete janë dëmtuar. Mbi 40 drurë kanë rënë, janë vërshuar rreth 80 objekte, janë dëmtuar mbi 15 çati ndërsa tërësisht ka rënë çatia e një ndërtese pesëkatëshe, të paktën 5 shtylla elektrike kanë rënë, mbi 1000 telefonata në numrin telefonik 112, të gjitha këto janë bilanci i motit të lig që dje e kaploi Shkupin. QMK-ja ka menaxhuar 180 situata.
“Nga moti i lig që ndodhi dje, nuk kemi viktima, nuk kemi qytetarë të lënduar, përveç dy personave të lënduar që ishin brenda veturës mbi të cilën ka rënë dru dhe morën lëndime trupore. Automjeti i njësisë kundër zjarrit intervenoi për nxjerrjen e tyre, pas çka ekipi i Ndihmës së shpejtë u ofroi ndihmë dhe i dërgoi në spitalin më të afërt”, tha Stojançe Angellov, drejtor i QMK-së.
Ekipet të QMK-së dhe MPB-së gjatë natës e kanë nxjerrë ujin nga bodrumet e vërshuar. Edhe sot vazhdoi nxjerrja e ujit nga qendra tregtare. Sa u përket vërshimeve, Angellov thotë se çështja ka dimension politik.
“Për shkak të urbanizimit të shpejtë të Shkupit që në fakt nuk është edhe aq i shpejtë por zgjat disa dekada, qyteti ka më shumë njerëz në krahasim me kapacitetin e rrjetit të kanalizimit. Sistemi që duhet ta mbledhë ujin e shirave nuk është i mjaftueshëm dhe ndodh që uji të dalë jashtë pusetave në rrugë, por ky është problem i sistemit për të cilin duhet kërkuar zgjidhje afatgjate”, deklaroi Stojançe Angellov, drejtor i QMK-së.
Kryetarja Danella Arsovska tha se ekipet e Qytetit të Shkupit, ndërmarrjet publike dhe Brigadat zjarrfikëse kanë reaguar në mënyrë adekuate pas stuhisë së djeshme. Shtabi i krizës ishte në terren ndërsa problemi kryesor për vërshimin e Shkupit është kanalizimi atmosferik që paraardhësit e saj nuk e kanë zgjidhur në mënyrë adekuate.
“Sfida më e madhe për atë që po ndodh në Shkup është kanalizimi atmosferik. Ditëve në vijim do të dalim me analizë për mënyrën e zgjidhjes së këtyre sfidave. Ka më shumë shembuj, disa nga rrugët janë të reja dhe atje ka probleme, një pjesë prej tyre janë të rikonstruktuara, megjithatë nuk është bërë rikonstruktim i kanalizimit atmosferik”, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Derisa po sanohen dëmet nga moti i lig, nga DPHM paralajmëruan se reshjet e rrëmbyeshme të shiut do të vazhdojnë deri të premten në orët e pasdites.