Një aksion rutinë i Policisë në orët e para të mëngjesit ka çuar në arrestimin e dy personave në qendër të Prishtinës, pasi gjatë kontrollit u janë gjetur armë të ftohta, pajisje elektroshoku, substanca të dyshuara narkotike dhe mjete të tjera të dyshimta.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 1 qershor, rreth orës 05:00 në rrugën “Fehmi Agani”, kur njësitë policore gjatë patrullimit kanë ndaluar dy persona të dyshimtë për verifikim.
Gjatë kontrollit të kryer në vendngjarje, policët kanë gjetur dhe sekuestruar një thikë, një pajisje elektroshoku, substancë të dyshuar narkotike si dhe mjete të tjera pune, të cilat dyshohet se përdoreshin nga personat e ndaluar.
Sinjali mëson se njëri nga të arrestuarit është Labinot Qerreti, ndërsa në kuadër të të njëjtit aksion është arrestuar edhe Selim Midzan. Të dy janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejshme.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar Arian Frokaj, i cili ka urdhëruar inicimin e veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar prejardhjen e narkotikëve, qëllimin e posedimit të elektroshokut dhe mjeteve të tjera të sekuestruara, si dhe nëse të arrestuarit mund të lidhen me raste të tjera kriminale në kryeqytet.


