Alsat 2019-08-14T10:06:55+02:00
Dy shtetas shqiptarë, të cilët që u shfaqën në video të publikuara nga faqja e internetit Insajderi.com duke kërcënuar dhe fyer shqiptarët myslimanë nga Kosova dhe Maqedonia dhe duke kërkuar që ata të mos shkojnë me pushime në bregdetin shqiptar u shpallën në kërkim policor të martën më 13 gusht, bëri të ditur policia shqiptare.
“Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet.
Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera janë identifikuar dy personat që kanë folur me gjuhën e urrejtjes ,” njoftoi zyra e antiterrorit në Policinë e Shtetit në Facebook.
Bëhet fjalë për Anton Zefin, 39 vjeç, banues në Hot, Malësi e Madhe dhe Luigj Markun, 36 vjeç, banues në Kallmet Lezhë.
Të dy këta persona janë shpallur në kërkim policor pasi nga verifikimet e policisë ka rezultuar të jenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Lezhë për veprën penale të “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve” parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet,
Neni 265 i Kodit Penal parashikon dënime nga 2 deri në dhjetë vjet heqje lirie.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar për të goditur çdo aktivitet të kundra ligjshëm dhe për siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurtë për të gjithë shtetasit shqiptar apo të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet verore.
Loading…


