Tani e dy ditë, banorët e lagjes Seravë në Komunën e Çairit janë pa energji elektrike, gjë që ka shkaktuar revoltë dhe protesta masive.
Të indinjuar nga moszgjidhja e defektit në rrjetin elektrik, qindra banorë dolën sot në rrugë dhe bllokuan një nga akset më të frekuentuara të kryeqytetit, rrugën e njohur si “Plastikat”, në afërsi të bulevardit “Nikolla Karev”.
Sipas raportimit të gazetarit të TV21, Adnan Qaili, rruga ka qenë e bllokuar për rreth tre orë rresht, ndërsa protestuesit paralajmëruan se do të vazhdojnë të protestojnë çdo ditë në periudhën më të ngarkuar të ditës, derisa problemi me energjinë elektrike të zgjidhet.
Banorët thonë se prej 48 orësh janë pa rrymë dhe se janë detyruar të evakuojnë të moshuarit dhe fëmijët nga shtëpitë, për shkak të kushteve të rënda në netët e ftohta dhe në prag të festave. Ata shprehen se situata është veçanërisht e rëndë për personat e sëmurë që përdorin pajisje mjekësore të varura nga energjia elektrike.
“Ka njerëz të paralizuar, fëmijë që dridhen gjithë natën, persona me maska oksigjeni që funksionojnë me rrymë. Rreth 300 shtëpi janë të prekura në Seravë, Gazi Babë dhe Plastikat, ndërsa qytetarët paguajnë fatura deri në 1.200 euro për energjinë elektrike”, u shpreh një banor. Një tjetër theksoi se mungesa e rrymës po ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin mësimor: “Fëmijët shkojnë në shkollë dhe në terr nuk kanë si të lexojnë. Është turp që në shekullin XXI të mos ketë rrymë. Në këto lagje ka 700–800 banorë, ndërsa me Dyqanxhikun numri shkon deri në 1.000”.
Nga ana tjetër, EVN-Home njofton se defekti në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në lagjen Seravë ka ndodhur më 21 dhjetor 2025 (e diel). Sipas kompanisë, problemi është pasojë e vjedhjeve të gjata dhe të pakontrolluara të energjisë elektrike, si dhe e pengimit të vazhdueshëm të ekipeve të Elektrodistrubucionit në kryerjen e aktiviteteve për mirëmbajtjen dhe rikonstruimin e rrjetit.
Sipas EVN-Home, për sa kohë që ekipet nuk kanë qasje për realizimin e projektit, sanimi i përhershëm i defekteve do të jetë i pamundur, ndërsa problemet do të vazhdojnë të shfaqen edhe në të ardhmen për shkak të mbingarkesës nga kyçjet ilegale. (INA)


