Në një analizë të situatës paszgjedhore, Doçe Vele gjermane parashtron të gjitha mundësitë e hapura nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, të cilët shkojnë nga një qeveri me mbështetje minimale në parlament deri te një qeveri e koalicionit të gjerë.
Ajo që është e sigurtë për momentin është se deri më 9 janar Presidenti Ivanov duhet të zgjedhë se kujt do ia japi mandatin për formimin e qeverisë, edhe pse për momentin asnjë koalicion nuk e ka shumicën prej 61 vendesh në parlament. Nikolla Gruevski si kryetar i partisë më të madhe të dale nga votimet e 11 dhjetorit nuk do të ishte një zgjidhje shumë e zgjuar për shkak se shumica e partive shqiptare e kanë bërë të qartë se nuk e duan atë si kryeministër.
Sipas DW, çelësi i shumicës parlamentare ngelet te BDI, parti e cila nuk ka një qëndrim zyrtar se më kë do koalicionojë, por për momentin është e angazhuar në përpilimin e një platforme të përbashkët të partive shqiptare.
Një nga opcionet e mundshme ngelet formimi i një qeverie me përkrahje të gjerë, nga të gjitha partitë e mëdha. E mira e kësaj qeverie, sipas DW do të ishte mundësia për zgjidhjen e disa çështjeve të nxehta politike ku bën pjesë edhe emri kushtetues i shtetit – një pengesë për integrimet euroatlantike të vendit. Në linjë me këtë mund të konsiderohet edhe paralajmërimi i ministrit grek të Punëve të Jashtme, Koxias i cili në një intervistë për agjencionin ANA deklaroi se pa zgjidhjen e çështjes së emrit nuk mund të mendohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE.