Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka vënë në pikëpyetje saktësinë e përllogaritjes së shportës minimale sindikale, e cila për muajin maj u vlerësua në 63.908 denarë. Ai paralajmëron hartimin e një shporte të re të shpenzimeve, që do të bazohet në të dhëna reale dhe të qasshme për qytetarët.
“Ajo shifër nuk është reale. Prandaj, do të krijojmë një shportë të re që do të pasqyrojë saktësisht shpenzimet mujore të një familjeje me katër anëtarë – për ushqim, pije, veshmbathje e të tjera. Do të jetë metodologji e qartë, e besueshme dhe transparente”, deklaroi Durmishi.
Sipas tij, kjo çështje do të jetë në rend dite në seancën e parë të Komisionit socialo-ekonomik, ku do të diskutohet për metodologjinë e re që do të përdoret për llogaritjen e shpenzimeve mujore të një familjeje tipike.
Ministri sqaroi se nuk është kundër përllogaritjeve të sindikatave, por theksoi se ato nuk pasqyrojnë realitetin.
“E dimë që sindikatat e publikojnë këtë shifër, nuk kemi gjë kundër, por ajo nuk është reale. Janë përfshirë produkte që nuk konsumohen në periudha të caktuara të vitit, si dhe produkte që nuk i përkasin kategorisë së shportës minimale”, theksoi ai.
Durmishi siguroi se qytetarët do të informohen me të dhëna të sakta, në mënyrë që të kenë pasqyrë të qartë se sa realisht u kushton jeta mujore në vend.