Ministri Besar Durmishi mori pjesë në forumin ekonomik të organizuar nga Fondacioni për Hulumtime Ekonomike nga Stambolli, ku theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë.
Në fjalën e tij, Durmishi nënvizoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të forta dhe të dëshmuara ndër vite, ndërsa Turqia mbetet një partner strategjik i rëndësishëm për vendin.
Ai theksoi se me marrëveshjen e re për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet ekonomike, duke krijuar mundësi konkrete për investime, zhvillim ekonomik dhe intensifikim të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me sektorin privat.
“Qëllimi ynë është i qartë – të ndërtojmë një marrëdhënie më të balancuar tregtare dhe të shfrytëzojmë potencialin për rritjen e eksportit maqedonas,” deklaroi Durmishi.
Sipas tij, fokusi në periudhën e ardhshme do të jetë në rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik për qytetarët.
Ai shtoi se forume të tilla paraqesin një platformë të rëndësishme për krijimin e partneriteteve të reja dhe konkretizimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.


