20.06.2017
Sistemi arsimor në dekadën e fundit është përpjekur për reforma, të cilat edhe pse kishin qëllime të mira, për fat të keq shiheshte pak profesionalizëm. Sipas veteranëve të arsimi thuhet se ai është një nga fushat që jo vetëm i prin shoqërisë, por edhe ndikohet fuqishëm prej saj dhe ndryshimeve shoqërore. Fakti që sistemet e arsimimit janë në ndryshim të përhershëm, nuk tregon paqendrushmëri, shkruan Almakos.
Sipas profesorit Xheladin Murati ndryshimi në sistemin arsimor duhet të bazohet në cilësi; Të ndërtohet sistem arsimor stabil; Reforma të reflektoj tek nxënësit, të ndryshon pozita e tij në mësim, duke qenë më aktiv; Mësimdhënia të mbështetet në teknologji dhe metodologji mësimore bashkëkohore; Të ngrihet cilësia në arsim, cilësia të jetë shtylla themelore e reformës; Institucionet arsimore të aftësohen dhe të krijojnë kapacitete pune; Të vlerësohen studimet e disperzuara; Njëherit të rishqyrtohen numri i universiteteve publike dhe akreditimi i universiteteve private; Të eliminohet fakti se numri i madh i rinisë janë analfabet funksional nga mosha 15 vjeçare (sipas BB dhe OECD); Nxënësit duhet të aftësohen për mësim gjatë gjithë jetës; Të rishqyrtohet funksioni, roli dhe vendi i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Inspeksionit Arsimor; Të ndahen qartë kompetencat dhe roli pedagogjik nga funksioni administrativ.
Ai thotë për Almakos se pavarësisht nga arritjet në arsim, mbetet për t’u bërë edhe shumë punë për të plotësuar kriteret e rrepta të zhvillimit dhe të anëtarësimit në BE dhe për të rritur cilësinë e dëshiruar.
Nga ana tjetër Mehdi Mehmeti thotë se reformat në arsim duhet bërë në atë mënyrë që të largohemi nga reformat ku mbingarkohet mësimdhënësi dhe nxënësi.
“Reformat me mbushje “dosjesh” me të cilat arsimtarëve u ka ardhur në majë të hundës, por të gjen vend pragmatizmi duke filluar nga plan programet – mësimore, përgatitjet ditore, lëndët mësimore, kuadri arsimorë, tekstet shkollore, oraret mësimore, numri i nxënësve nëpër paralele, kushtet e shkollave ku mbahet mësimi, etj. Me një fjalë duhet bërë një qasje reale drejt reformave në arsim”, thotë Mehmeti
Ai shton se nuk jemi kundër dialogut rreth reformave në arsim por mendojmë se kundërshtarët e reformave janë sot më të qartë se sa përkrahësit e saj. Me projekte nga më të ndryshmet, kohë e pa kohë duke ia rëzuar vlerat arsimit, duke mos e pas parasysh fare se sa i ngarkojmë dhe stërngarkojmë si fëmijët poashtu edhe arsimtarët.
“Reforma në arsim është dhe do të jetë jetike për të ardhmen e Maqedonisë në integrimin europian. Ajo është një reformë për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian. Por mos të harojmë se reformat në arsim kërkojnë reformatorë të mirfilltë dhe ekspertë profesional pedagogjikë e jo politikë”, thotë Mehmeti
Ndërkaq, Renata Deskoska, në krye të Ministrisë së Arsimit, ka paralajmëruar reforma në sistemin arsimor në vend. Me qëllim që të mundësojmë program mësimore, e cila do të jetë në pajtueshmëri me moshën e fëmijëve, në pajtueshmëri me rrjedhën aktuale të arsimit botëror dhe ajo që nënkupton mbajtjen e interesit të fëmijëve në procesin arsimor. Poashtu paralajmëroj edhe rishikim të asaj që nënkupton detyrime administrative të imponuara ndaj mësimdhënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, ka deklaruar Deskoska, për mediat në vend.
Mësuesja Vjollca Kërluku, që ka 35 vjet përvojë në arsimin fillor thotë se ndryshimet në fushën e arsimit nevoitet dhe se suksesi vjen tek ata qe janë shumë të zënë duke e kërkuar atë. Është koha të ndjekim rrugën më të mirë për arsimin.
“Duhet të ketë risi se jemi në shekullin XXI, por të veshur me uniformën e vjetër, se arsimi duhet punuar me ndërgjegje e duhet të të flej në shpirt. E mbi të gjitha çdo risi duhet marrë e diskutuar me ato që kanë punuar e punojnë në arsim, se janë drejt rrjedhave të punës”, tha V. Kërluku, nga sh.f. “Penestia”, Dibër, pë Almakos.
Ajo shton se mbingarkesa si në procesin e punës ashtu edhe në çështjet administrative është e tepërt.
Edhe në një nga deklaratat të ish ministrit Rushiti thuhet se mbingarkesa me programe të papërshtatshme dhe ngarkesa me punë administrative, mënjanon procesin mësimor.
“Vlerësoj se mësimdhënia dhe mësimnxënia në asnjë mënyrë nuk duhet të shndërrohen në një proces administrativ. Respektivisht, me këto reforma komponenti edukativ është lënë anash duke u fokusuar në atë pjesën administrative që s’ka të bëjë fare me qëllimin e realizimit të reformave në arsim që janë më se të nevojshme”, ka thënë për mediat në vend Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit gjatë mandatit të të cilit filloi realizmi i pjesës më të madhe të reformave në arsim me kalimin e sistemit tetëvjeçar në atë nëntëvjeçar në shkollat fillore.
D.Kërluku
Almakos.com
.

