Nën moton “Zgjidh shëndet, e jo duhan”, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Institutin për Shëndet Publik ashtu si tradicionalisht e shënuan 31 majin – Ditën botërore kundër duhanit. Me këtë rast u theksuan rrisqet që lidhen me përdorimin e duhanit si dhe politikat efektive për të reduktuar konsumin e duhanit. Mjeku pulmolog Femi Demiri, thekson se shprehia për duhan zakonisht fillon në moshë të re, të rinjtë fillojnë duhanin më tepër nga kërshëria pa mos qenë në dijeni për pasojat negative që ai shkakton.
‘Një kërshëri se si duket, dhe duke parë më të vjetrit që e përdorin. Por pastaj kjo shprehi fillon të bëjë edhe dëmtimet e para, duke krijuar një varshmëri nga vetë materja që është nikotina. Te disa kalon pastaj bashkë me nikotinën marrin edhe 200 materie të tjera të dëmshme gjatë tymit.’
Ndërkaq, duke folur për efektet negative të duhanit, Demiri thekson se ky i fundit shkakton dëmtimin e shtresës së mukozës në traktin respirator, konkretisht epitelin cilial i cili ka efekt mbrojtës dhe poashtu shkakton dy komplikime të tjera.
‘Duke marrë tymin e duhanit, i cili ka edhe një sasi të blozës, katranit, janë të gjitha këto grimca që në njëfarë mënyre prishin këtë raport, këtë mundësi mbrojtjeje të sistemit respirator. Krijon dy gjëra shumë të dëmshme duke shkatërruar rrugët e frymëmarrjes, duke shkaktuar ‘bronkitin e duhanxhinjve.’
Përndryshe, pirja e duhanit renditet si faktor i madh riskant për sëmundjet malinje, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundje të aparatit të frymëmarrjes dhe probleme të tjera shëndetësore. Duhani është shkaku kryesor i shumë vdekjeve që mund të shmanget. Është i vetmi produkt që konsumohet legalisht që vret një të tretën deri në një të dytën e atyre që e përdorin. Në Republikën e Maqedonisë, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, në vitin 2016 nga sëmundjet e sistemit qarkullues kanë vdekur 10.920 persona me shkallë të vdekjes prej 526,9 në 100.000 banorë. /Blerona Jakupi/