Pothuajse një dekadë ka kaluar që prej një nga ngjarjeve kriminale që kanë tronditur Elbasanin, vrasja e dyfishtë në 15 gushtin e vitit 2012, në lagjen “Çlirimi”, ku u ekzekutuan babë e bir.
Bëhet fjalë për vrasjen e Gentjan e Nezir Beqirit, ngjarje për të cilën fillimisht u dyshua dhe u arrestua edhe Florenc Çapja, por më pas u la i lirë, dhe autoritetet shqiptare aktualisht po përpiqen ta sjellin në vendlindje, për të vuajtur dënimin, pavarësisht se kanë hasur në ligjin e Dubait kundër ekstradimeve.
Një ditë më parë, Gazeta Shqiptare raportoi se Gjykata e Apelit në Dubai ka rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Çapjas për vrasje të dyfishtë, pavarësisht se autoritetet shqiptare paraqitën kërkesën në fillim të vitit të kaluar për ekstradimin e tij me akuzën e vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe pjesëmarrës në krimin e organizuar.
Pra, autoriteteve shqiptare jo vetëm që nuk u ka “ecur fjala” me homologët e Dubait, madje Çapja endej si një qytetar i lirë në qytetin e Emirateve të Bashkuara, sipas konfirmimit të avokatit të familjes Çapjas, Neshat Fana, i cili ka thënë se ai ishte punësuar atje.
Arrestohet Çapja – shoqërohet në komisariatin e Elbasanit
Më 14 qershor të vitit 2019, Florenc Çapja u ndalua në sajë të një operacioni të forcave RENEA, gjatë të cilit u arrestuan 8 punonjës të administratës. Burime të pakonfirmuara thanë që për të mund të ishte dhënë edhe një urdhër arresti nga gjykata, u raportua në atë periudhë.
Pas operacionit ku u arrestua Çapja, Policia e Shtetit lëshoi dhe një deklaratë për mediat. E përfaqësuar nga drejtoresha aktuale e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në atë kohë Zv. Drejtoreshë e Përgjithshme e policisë, Aida Hajnaj informoi se 8 persona u arrestuan, ndërsa 4 të tjerë shpallën në kërkim.
Midis të arrestuarve ishte dhe Çapja, në atë kohë 38 vjeç, pasi ishte i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
“Për Proçedimin Penal nr. 40 viti 2006 nga hetimet e zhvillura ka rezultuar se, autor i kësaj ngjarje është shtetasi: 1. F.Ç, 38 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan lagjia “Emin Matraxhiu”. Për këtë shtetas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 477 datë 11.06.2019, per të cilin ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest me burg” i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Çapja i shpëton dënimit për “Vrasje me paramendim e mbetur tentativë”
Gjashtë muaj burg bëri Çapja në vitin 2019, para se Tomor Kullolli, gjyqtari i Elbasanit të vendoste të pushonte cështjen penale kundër Florenc Çapjas, të akuzuar për tentativën e vrasjes së Fadil Memës dhe mbajtjes pa lejë të armëve luftarake.
Kjo ishte hera e tretë që Florec Çapja i shpëton drejtësisë shqiptare për këtë ngjarje, pasi gjykata ka argumentuar se kjo cështje nuk ka provat e mjaftueshme për të hyrë në proces gjykimi. Vendimi u mor në seancë paraprake të gjykimit, aty ku prokuroria e Elbasanit kërkonte që gjykata të miratonte kërkesën për gjykim dhe të fuste dosjen për gjykim.
Më 29 maj, u raportua se Çapja u arrestua në Dubai në datën 27 maj, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por në atë kohë nuk ishte lëshuar ende një deklaratë zyrtare nga organet e drejtësisë.
SPAK-u merr në dorëzim dosjen e Çapjas. Për çfarë akuzohet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi nga GJKKO gjykimin e dosjes në ngarkim të arrestuarve për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqirit.
SPAK njoftoi se kërkon gjykimin e dosjes për të pandehurit, Ardia Çapja, Florenc Çapjas, Olsi Lekës, Ervis Bardhit, Klajdi Dokolit dhe Etjen Canit si organizatorë të kësaj vrasje në gusht të vitit 2012 në Elbasan brenda banesës së tyre.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot më datë 17.06.2021 paraqiti në gjykatë kërkesë për kalimin për gjykim të çështjes penale Nr.98/1 viti 2021 (çështje e ndarë), ndaj të pandehurve Ardian Çopja (Çapja), Florenc Çapja, Olsi Leka (alias Jorgo Leku) alias Giorgo Lekou, Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli e Etjen Cani, të akuzuar per kryerje të veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/2, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal, për vrasje të kryer ndaj dy viktimave Nezir Beqiri e Gentjan Beqiri (babë e bir) më datë 15.08.2012 dhe rreth orës 08-09’’, në Elbasan, brenda në banesë të tyre (apartament në kat të pestë).
Më vete, Ardian Çopja akuzohet dhe për krimet “Mbajtja pa leje e arrmëve dhe municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 278 paragrafi 2 e 3 dhe 279 të Kodi Penal, për fakt penal të verifikuar më datë 29.03.2021, kur gjatë arrestimit të tij iu gjet dhe sekuestrua në banesë një armë zjarri automatike kallashnikov, 60 fishekë dhe një bajonetë metalike, të cilat i mbante pa leje në banesë.
Në proçedimin penal Nr.98 viti 2021 do vijohet të kryhen hetime për vepra penale të tjera të dyshuara të kryera më parë nga Grupi i Strukturuar Kriminal”, sipas njoftimit të SPAK më 17 qershor të vitit 2021.
Si u zbuluan autorët e vrasjes së Gentjan e Nezir Beqirit në vitin 2012
Avokatët mbrojtës të autorëve kishin paraqitur prova se ditën e ngjarjes klientët e tyre nuk ndodheshin në qytetin e Elbasanit, madje Çapja nuk ka qenë në Shqipëri. Është mësuar më herët se Vrasja e Gentjan dhe Nezir Beqirit në Elbasan është organizuar një muaj para ekzekutimit në banesën e tyre me 15 gusht të vitit 2012.
Prokuroria mundi të zbardhë ngjarjen nga dëshmia e Ervis Bardhit, i cili ka pranuar se në kohën kur u realizua vrasja kishin marrë një banesë me qira në rrugën “7 Marsi”, në qytetin e Elbasanit.
Madje ai ka pranuar se vizitat e Ervisit në banesën e mikut të tij, Gentjan Beqiri, që ndodhej në “arrest shtëpie”, ishin bërë më të rralla.
Pas vrasjes në kërkim u shpallën Ervis Bardhi, 38 vjeç, nga Kavaja e banues në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit, si dhe Etien Cani, 29 vjeç, banues në lagjen “Çlirimi” të këtij qyteti, njëri prej të cilëve rezultoi jashtë vendit, kurse tjetri u largua me shpejtësi para se Forcat Speciale t’ia vendosnin prangat.
“Jorgo Leku” arrestohet në Greqi për ekzekutimin e Gentjan e Nezir Beqirit
41- vjeçari lindur në Elbasan, me banim në Gjirokastër, që njihej edhe me emra të tjerë si Olsi Leka, Giorgo Lekou, Jorgo Lekou u arrestua më 10 nëntor 2020, në shtetin Helen.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, më datë 12.06.2020 e la në burg për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
“Vijon bashkëpunimi i suksesshëm me Interpol Tiranës dhe homologëve, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Falë këtij bashkëpunimi dhe shkëmbimit të informacionit është kapur në Greqi, një tjetër i kërkuar për vrasje të dyfishtë. Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, bazuar në shkëmbimin e informacionit të grumbulluar nga strukturat e Policisë së Shtetit, mbi vendndodhjen e mundshme të një personi të kërkuar për vrasje të dyfishtë, u bë i mundur arrestimi në Greqi i shtetasit shqiptar Jorgo Leku alias Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou, 41 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Gjirokastër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, më datë 12.06.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Më datë 15.08.2012, në lagjen “Çlirimi”, Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Aridan Meta alias Gentian Beqiri, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe të atin e tij Nezir Beqiri. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën, vijon procedurat e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë”, njoftoi Interpol Tirana.







