Policia e Kurbinit ka vënë në pranga 3 persona pasi janë kapur me armë dhe lëndë narkotike.
Të arrestuari janë V. R., 48 vjeç, V. R., 17 vjeç (babë dhe bir), banues në Kurbin dhe A. L., 17 vjeç, banues në Fushë Krujë (shok i 17-vjecarit V. R).
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në oborrin e banesës së shtetasit V. R., në Laç, në afërsi të një poligoni, u gjetën të kultivuar në vazo lulesh, disa fidanë të dyshuar narkotikë kannabis sativa.
Gjithashtu, gjatë operacionit Policia ka gjetur dhe sekuestruar brenda banesës së shtetasit të lartpërmendur, një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.



