Pas deklaratës të një dite më parë të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, se “vendi është në rrezik nga kanalizimi”, ka reaguar dhe Saimir Tahiri. Ministri i Brendshëm, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij austriak Ëolfgang Sobotka, ka thënë se puna e tij vlerësohet nga kryeministri Rama.
“Unë nuk jam komentator, unë jam ministër. Dhe kam detyrimin të bëj punën time sa më mirë, për një Shqipëri më të drejtë, më të sigurt e më të zhvilluar. E në këtë kuadër unë nuk kam dëshirë të komentoj komentet. Dhe aq më pak kur komentet janë nga një koleg tjetër i imi i cili, si unë, ka detyrë të bëjë sa më mirë detyrën. Punën tonë e vlerëson Kryeministri. E mbi të gjitha e vlerëson dhe e gjykon publiku dhe qytetarët, të cilët, me plot të drejtë, presin sa më pak fjalë e sa më shumë punë”, sqaroi Tahiri.
Më pas ai dha detaje edhe mbi projekt-ligjin për Planin Strategjik në luftën kundër këtij fenomeni për vitin 2017: “Ajo që kemi bërë e po bëjmë në luftën kundër drogës, siç dëgjuat dhe kolegun, jo vetëm por bashkë me partnerët, është prioritet maksimal i yni. Dhe Shqipëria, si në këto tre vite, do të vazhdojë të bëjë akoma më shumë për një Shqipëri të denjë për qytetarët shqiptarë. Ashtu siç do të bëjmë akoma më shumë edhe me partnerët për luftën kundër kriminalitetit, krimit të organizuar veçanërisht, parave të kriminalitetit dhe aseteve kriminale dhe terrorizmit”.
Sa i takon fluksit të azilkërkuesve drejt Europës Tahiri nënvizoi: “Shqipëria e ka theksuar Adriatiku nuk do të jetë kurrë një rrugë kalimi. Adriatiku nuk do të jetë kurrë një rrugë kalimi. Ndaj kemi marrë masa për forcimin e kufirit dhe për garantimin e mos qenies në situata emergjente ku nuk duhet të na ndodhë të jemi të papërgatitur. Ishte shqetësimi ynë i përbashkët, është prioritet i yni i përbashkët, i të dy vendeve. Nuk besoj se do të kemi surpriza gjatë verës, në mos na surprizon kolegu gjatë vizitës së tij në sezonin e verës”.
13 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)