Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka paralajmëruar për intensifikimin e strategjisë hibride të Serbisë ndaj Kosovës, përmes një qasjeje të shumëfishtë që synon destabilizimin institucional dhe shoqëror.
Ai thekson se instrumentalizimi i të rinjve serbë në veri, përdorimi i elementëve fetarë dhe ndërtimi i narrativës së një shteti të dështuar janë ndër mjetet kryesore të kësaj strategjie.
Sipas Shalës, përmes fushatave të organizuara mediatike dhe veprimeve të planifikuara, Serbia kërkon të paraqesë Kosovën si shtet që shkel të drejtat e komunitetit serb, duke synuar legjitimimin e ndërhyrjeve të saj në emër të mbrojtjes etno-fetare.
Shkrimi i plotë:
Strategjia hibride e Serbisë !
Strategjia hibride e Serbisë në raport me Kosovën është intensifikuar në vitet e fundit përmes një qasjeje të shumëfishtë që synon destabilizimin gradual institucional dhe ndërshoqëror në vend. Një nga format më të sofistikuara të kësaj strategjie është instrumentalizimi i të rinjve, veçanërisht maturantëve serbë në veri të Kosovës, duke i përdorur ata si simbolikë politike për të ndërtuar një narrativë ndërkombëtare të “represionit shtetëror” nga autoritetet kosovare.
✅ ️Përmes inskenimeve të protestave, bojkotit të testimeve dhe ndërhyrjeve të policisë në raste të planifikuara, krijohet një iluzion i një krize të të drejtave të njeriut, duke e zhvendosur vëmendjen nga thelbi politik i problemit drejt një dimensioni gjoja humanitar.
✅️ Një tjetër komponent i kësaj strategjie është përdorimi i elementit fetar si mjet për të thelluar ndarjet etnike dhe për të konsoliduar një ndjenjë të rreme “rreziku kulturor” në mesin e komunitetit serb. Ndryshimet administrative të emërtimeve të rrugëve nga emrat e figurave historike serbe – shumë prej të cilëve janë figura fetare me të kaluar të lidhur me dhunën dhe nacionalizmin – në emërtime që përfaqësojnë identitetin civil të shtetit të Kosovës, paraqiten në mediat serbe si “shlyerje e trashëgimisë serbe”. Kjo përdoret për të mobilizuar opinionin publik serb dhe për të legjitimuar intervenimin e strukturave ilegale në veri si “mbrojtje e identitetit”.
✅️ Së fundmi, Serbia po e shfrytëzon dobësinë politike në Prishtinë për të ndërtuar një narrativë ndërkombëtare të një shteti të dështuar, duke e paraqitur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si zgjidhjen e vetme për “shpëtimin” e komunitetit serb në baza etnike dhe fetare. Kjo narrativë promovohet përmes një fushate të koordinuar mediatike të platformave si *Kosovo Online*, të financuara nga Serbia, të cilat prodhojnë përmbajtje të targetuar në drejtim të opinionit ndërkombëtar dhe diasporës.
❗️Kjo qasje hibride – që kombinon faktorët edukativë, fetarë dhe politikë – synon jo vetëm destabilizimin e brendshëm të Kosovës, por edhe legjitimimin e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në çështjet e saj “të brendshme”, përmes një “ndërhyrjeje të butë” me justifikim etno-fetar.